SHBA-ja ka humbur ose dëmtuar 81 mjete ajrore ushtarake gjatë luftës me Iranin, me një vlerë që mund të arrijë deri në 3.3 miliardë dollarë, sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit amerikan.

Në mesin e mjeteve të prekura janë aeroplanë luftarakë, helikopterë dhe dronë. Më shumë se gjysma e humbjeve i përkasin dronëve MQ-9 Reaper, të cilët përdoren për zbulim, mbikëqyrje dhe misione luftarake.
Lista përfshin edhe disa prej mjeteve më të avancuara të Forcave Ajrore amerikane, mes tyre aeroplanët luftarakë F-35A dhe E-3 Sentry, të pajisur me sisteme radari për zbulimin e objektivave dhe menaxhimin e hapësirës ajrore.
Sipas raportit, vlera e mjeteve të humbura ose të dëmtuara është ndërmjet 1.9 dhe 3.3 miliardë dollarëve, në varësi të kostos së zëvendësimit të tyre, shkruan cnn.
Megjithatë, kostoja e përgjithshme e luftës është shumë më e lartë. Sipas të dhënave të cituara në raport, SHBA-ja ka shpenzuar të paktën 45 miliardë dollarë për operacionet ushtarake, pa përfshirë dëmet e shkaktuara në infrastrukturën e bazave amerikane në rajon.
Jo të gjitha mjetet e përfshira në raport janë shkatërruar plotësisht. Disa mund të riparohen dhe të rikthehen në përdorim. Në këtë kategori janë edhe tetë aeroplanë F-15 Strike Eagle, të cilët pësuan dëme gjatë një sulmi iranian ndaj bazës ajrore Muwaffaq Salti në Jordani.
Raporti i Kongresit ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me informacionin që Pentagoni i ka ofruar Kongresit për humbjet dhe nëse do të nevojiten fonde shtesë për riparimin apo zëvendësimin e mjeteve të dëmtuara.
Humbjet janë veçanërisht të rëndësishme për disa platforma që janë të vjetra dhe që ekzistojnë në numër të kufizuar. Sipas raportit, humbja e tyre mund të krijojë boshllëqe në kapacitetet ushtarake amerikane dhe të ndikojë në gatishmërinë e SHBA-së për operacione në rajone të tjera.
Raporti thekson gjithashtu se lufta me Iranin, së bashku me operacionet e mëparshme amerikane kundër Huthëve në Jemen, ka shkaktuar humbje të konsiderueshme në flotën e dronëve MQ-9 Reaper.
Vetëm gjatë këtij viti, sipas një analize të Atlantic Council, SHBA-ja ka humbur 45 dronë MQ-9 në Lindjen e Mesme, shifër që është cilësuar si shqetësuese për ushtrinë amerikane. /Telegrafi/




