Një shtetas i kosovës, i kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar për veprën penale “vjedhja e rëndë”, është ekstraduar të enjten nga Gjermania në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ekstradimi është realizuar më 8 tetor 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas Policisë, ekstradimi është realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë.
Pas ekstradimit, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit./Telegrafi/




