Real Madridi nuk planifikon ta largojë Rodrygon gjatë afatit kalimtar të janarit dhe llogarit që braziliani të jetë një “përforcim” i rëndësishëm për Jose Mourinhon në pjesën e dytë të sezonit.

Sulmuesi 25-vjeçar vazhdon rikuperimin pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior dhe dëmtimit të meniskut të jashtëm në gjurin e djathtë.
Rodrygo iu nënshtrua operacionit më 10 mars 2026 dhe që atëherë ka qenë jashtë fushave, duke ndjekur një program të veçantë rehabilitimi.
Sipas Fabrizio Romanos, brenda Real Madridit ekziston optimizëm se Rodrygo mund të jetë në dispozicion të Mourinhos mes dhjetorit dhe janarit.
Megjithatë, klubi nuk dëshiron të nxitojë me rikthimin e tij, pasi bëhet fjalë për një dëmtim serioz dhe prioritet mbetet rikuperimi i plotë fizik.
Rikthimi i brazilianit pritet të ndikojë edhe në planet e Real Madridit në tregun e transferimeve.
Pavarësisht interesimit të Arsenalit, Rodrygo nuk pritet të largohet në janar dhe klubi spanjoll dëshiron ta mbajë atë në skuadër.
Çdo mundësi për një transferim të tij është shtyrë të paktën deri në verën e vitit 2027.
Për Mourinhon, rikthimi i Rodrygos do të ishte një përforcim i rëndësishëm në repartin ofensiv, pa pasur nevojë që klubi të investojë domosdoshmërisht për një tjetër sulmues në afatin kalimtar të dimrit.
Rodrygo ka kontratë me Real Madridin deri më 30 qershor 2028, ndërsa vlera e tij e tregut vlerësohet në rreth 45 milionë euro.
Nëse rikuperimi vazhdon sipas planit, braziliani mund të rikthehet në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, duke u bërë kështu një alternativë e re për Mourinhon në pjesën vendimtare të sezonit. /Telegrafi/




