PSG vazhdon të jetë në kërkim të talenteve të rinj në tregun brazilian dhe së fundmi ka kthyer vëmendjen nga një tjetër futbollist premtues i Palmeirasit.

Klubi parisien po ndjek me interes mesfushorin defensiv 18-vjeçar, Luis Pacheco, i cili konsiderohet si një nga talentet e rinj që po rriten në akademinë e Palmeirasit.
Megjithatë, transferimi i tij në Evropë nuk pritet të jetë i lehtë, duke marrë parasysh historinë e klubit brazilian për të shitur talentet e tij për shuma të konsiderueshme.
Palmeirasi është shndërruar vitet e fundit në një prej akademive më produktive në Brazil.
Estevao u transferua te Chelsea për 61.5 milionë euro, Endrick te Real Madridi për 60 milionë euro, Allan te Manchester City për 40 milionë euro, ndërsa Vitor Reis kaloi te City për 35 milionë euro.
Në listën e talenteve të shitura për shifra të mëdha janë edhe Gabriel Jesus dhe Richard Ríos.
Pacheco, i lindur në Lajeado, bëri debutimin në Serie A braziliane në vitin 2025 dhe tashmë ka regjistruar gjashtë paraqitje në elitën e futbollit brazilian, me gjithsej 105 minuta të luajtura.
Paraqitjen e fundit e pati më 12 shtator ndaj Sao Paulos, kur luajti për 23 minuta.
Reprezentues i Brazilit në grupmoshat e reja, ai ishte pjesë e ekipit U17 në Kupën e Botës 2025 në Katar, ku Brazili e përfundoi turneun në vendin e katërt. Këtë vit, Pacheco është grumbulluar edhe me përfaqësuesen U20.
Në Palmeiras, 18-vjeçari vazhdon të alternojë paraqitjet mes ekipit U20 dhe skuadrës së parë, një proces zhvillimi që duket se po i përshtatet edhe vetë futbollistit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Terra, PSG po monitoron nga afër situatën e tij dhe mund të rikthehet me një ofertë për talentin brazilian.
Pacheco ka aftësi të luajë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, duke e bërë atë një profil edhe më interesant për klubin francez.
PSG ka ndërtuar prej vitesh një strategji të veçantë në tregun brazilian, ku ka afruar disa talente të rinj, mes tyre Gabriel Moscardon dhe Lucas Beraldon.
Tashmë, klubi parisien mund të tentojë të sigurojë edhe një tjetër prej talenteve premtuese të futbollit brazilian. /Telegrafi/




