Kompania amerikane e lobimit Valcour, e angazhuar dhe paguar nga Qeveria e Serbisë, ka zhvilluar kontakte me Richard Grenellin, ish-emisarin amerikan për Serbinë dhe Kosovën dhe aktualisht të dërguarin për misione speciale, ndërsa në të njëjtën periudhë ka punuar edhe për promovimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në qarqet politike dhe mediatike në Washington.

Të dhënat dalin nga raportet periodike që kompania Valcour ka dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara. Sipas raportit që mbulon periudhën nga shtatori 2025 deri në mars 2026, përfaqësuesit e kompanisë kanë kontaktuar zyrtarë të Departamentit të Shtetit, si dhe Richard Grenellin, i cili më herët ka shërbyer si i dërguar amerikan për dialogun Kosovë–Serbi.
Në raport thuhet se Valcour ka punuar, ndër të tjera, për organizimin e takimeve të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, me organizata të njohura hebraike në Washington. Kompania ka zhvilluar gjithashtu kontakte me zyrtarë amerikanë në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kontakti me Grenellin është pjesë e një fushate më të gjerë lobimi të Beogradit në Washington. Grenell ka mbajtur lidhje të afërta me udhëheqjen serbe dhe në vitet e fundit ka qenë i përfshirë në çështje që lidhen me marrëdhëniet SHBA–Serbi dhe dialogun Kosovë–Serbi.
Në një zhvillim tjetër të zbuluar nga raportet e kompanisë, Valcour ka ndërmjetësuar edhe në organizimin e një interviste që Vuçiqi dha në maj për portalin konservator amerikan Breitbart. Intervista më pas u shpërnda në rrjetin social Truth Social nga presidenti amerikan Donald Trump, shkruan N1.
Raporti tregon se përfaqësuesit e Valcourit kishin qenë në kontakt disa herë me Matthew Boylen, shefin e zyrës së Breitbart në Washington, nga 1 prilli deri më 31 maj, kur intervista u publikua.
Në ditën e publikimit të intervistës, si aktivitet i veçantë, në raport figuron edhe dërgimi i një mesazhi për Trumpin, për t’ia tërhequr vëmendjen ndaj intervistës së Vuçiqit. Trumpi më pas e shpërndau lidhjen e intervistës në Truth Social, pas orës 14:00 sipas kohës lindore në SHBA.
Në intervistë, Vuçiqi e lavdëroi Trumpin, duke deklaruar se presidenti amerikan është shumë më i popullarizuar në Serbi se çdo lider tjetër amerikan, pasi, sipas tij, është “pragmatik dhe racional”.
Valcour mori mbi 794 mijë dollarë nga Serbia
Valcour është angazhuar nga Qeveria e Serbisë në nëntor të vitit 2024, me një pagesë prej 65 mijë dollarësh në muaj. Sipas raportit më të ri, për periudhën nga marsi deri në shtator të vitit 2026, kompania i ka faturuar Serbisë 794,084.79 dollarë, duke përfshirë tarifën mujore dhe shpenzime shtesë ligjore.
Raporti tregon se gjatë kësaj periudhe përfaqësuesit e kompanisë kanë kontaktuar zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe anëtarë të Kongresit për çështje që lidhen me marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së.
Kompania gjithashtu ka përcjellë deklarata të Vuçiqit kundër antisemitizmit dhe ka kontaktuar mediat amerikane duke propozuar tema dhe intervista lidhur me marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas raportit, aktivitetet e Valcourit nuk janë kufizuar vetëm në promovimin e EXPO 2027, edhe pse ky përshkruhet si një prej objektivave të punës së kompanisë për Serbinë.
Në raportin e mëparshëm, i cili mbulon periudhën nga shtatori 2025 deri në mars 2026, Valcour deklaron se ka punuar për organizimin e takimeve të ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq me organizata të njohura hebraike në Washington. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, kompania ka kontaktuar edhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Richard Grenellin.
Kontratën me Qeverinë e Serbisë e ka nënshkruar drejtori i Valcourit, Matthew Mouers, i cili më parë ka punuar në administratën e Trumpit.
Sipas biografisë së tij, Mouers ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë pranë Departamentit të Shtetit dhe më herët ka qenë një nga figurat kryesore në fushatën e Trumpit. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit tranzitor të Trumpit para mandatit të dytë dhe është angazhuar në mbledhjen e fondeve për komitetin inaugurues të Trumpit dhe J.D. Vance. Mouers vazhdon të jetë i angazhuar në Komitetin Kombëtar Republikan.
Valcour është njëra nga disa kompani që lobojnë në Washington për interesat e Serbisë. Aktivitetet e saj përfshijnë kontakte me zyrtarë të administratës amerikane, anëtarë të Kongresit dhe media amerikane, ndërsa raportet e dorëzuara në Departamentin e Drejtësisë ofrojnë detaje mbi mënyrën se si Beogradi përpiqet të promovojë interesat e tij në kryeqytetin amerikan. /Telegrafi/




