Pse s’ka kasapë në Kroaci?

Pse s’ka kasapë në Kroaci?

Pse s’ka kasapë në Kroaci?

Mungesa e fuqisë punëtore ka detyruar kompanitë kroate të kërkojnë kasapë deri në Filipine. Ndërkohë që numri i punëtorëve nga Azia po rritet me shpejtësi, Kosova vazhdon të mbetet në top 10 vendet me më së shumti punëtorë në Kroaci, por shifrat zyrtare tregojnë një rënie të vazhdueshme të të ardhurve nga Kosova.

Sponsor 3M Express

Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ndalë patjetër trendin e largimit të njerëzve drejt vendeve të tjera të BE-së. Këtë e tregon në mënyrë dramatike rasti i Kroacisë. Që nga hyrja e këtij vendi në Bashkimin Evropian në korrik 2013 e deri më sot, vlerësohet se rreth 400’000 deri në 450’000 shtetas kroatë janë larguar drejt shteteve më të zhvilluara të BE-së (kryesisht Gjermanisë, Austrisë dhe Irlandës). Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave të Kroacisë, vetëm në periudhën 2013-2023 janë regjistruar zyrtarisht mbi 370’000 të larguar (ndërsa regjistrimi i popullsisë i vitit 2021 tregoi një rënie totale prej afro 400’000 banorësh brenda një dekade), por demografët kroatë dhe statistikat e vendeve pritëse (si zyra e statistikave në Gjermani) tregojnë se shifra reale është më e lartë pasi shumë emigrantë nuk e çregjistrojnë vendbanimin në Kroaci.

Ky largim ka shkaktuar mungesë kronike të fuqisë punëtore vendase në Kroaci. Nuk mungojnë vetëm kamerierë në Zagreb dhe qytete bregdetare. Mungesa e punëtorëve ka prekur edhe sektorin e përpunimit të mishit dhe traditën e njohur të therjes së derrave në rajonin kroat të Sllavonisë. Kapacitetet aktuale nuk po arrijnë të ndjekin rritjen e kërkesës sezonale, ndërsa kompanitë e mbetura po detyrohen të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit, duke punësuar punëtorë nga Filipinet.

Ky zhvillim pasqyron krizën e thellë të tregut të punës në Kroaci, ku sipas vlerësimeve të Bankës Popullore të Kroacisë aktualisht punojnë rreth 125 mijë deri në 130 mijë punëtorë të huaj. Të dhënat e Eurostatit e rendisin Kroacinë në vendin e tretë në Bashkimin Evropian – pas Maltës dhe Qipros – për numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për shtetasit jashtë BE-së në raport me numrin e banorëve, ku mbi 95 për qind e tyre janë leje pune.

Brenda kësaj vale të re migracioni, struktura e punëtorëve nga Azia po ndryshon me shpejtësi. Për herë të parë, punëtorët nga Filipinet ua kanë kaluar atyre nga Nepali, duke marrë rreth 20 mijë leje pune – një rritje prej 42 për qind. Punëdhënësit kroatë po i preferojnë filipinasit jo vetëm në turizëm e hoteleri, por edhe në industri, për shkak të njohjes së mirë të anglishtes dhe përshtatjes më të lehtë kulturore dhe afërsisë fetare (filipinasit janë katolikë).

Për vite me radhë, Kroacia është mbështetur te fuqia punëtore nga rajoni, ku Kosova vazhdon të mbetet në listën e dhjetë vendeve kryesore prej nga vijnë punëtorët. Megjithatë, statistikat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tregojnë një rënie graduale të numrit të lejeve të lëshuara për shtetasit e Kosovës. Në vitin 2023 janë lëshuar 9922 leje pune, në vitin 2024 ky numër ka rënë në 8139, në vitin 2025 në 6355, ndërsa në periudhën janar – gusht 2026 janë regjistruar 4165 leje pune.

Mediat kroate vlerësojnë se Kroacia po shërben si një “stacion tranzit” për punëtorët nga Kosova. Pasi fitojnë përvojën dhe dokumentacionin e nevojshëm, një pjesë e madhe e tyre, sidomos pas liberalizimit të vizave dhe lehtësive të punësimit në Gjermani, largohen drejt Gjermanisë apo Austrisë për paga më të larta. Punëtorët nga Kosova në Kroaci mbeten të përqendruar kryesisht në ndërtimtari dhe gastronomi gjatë sezonit veror, ku vlerësohen për njohjen e gjuhës dhe përshtatjen e shpejtë.

Hapja e tregut kroat për punëtorët nga Azia po shoqërohet edhe me tensione shoqërore. Hulumtimet sociologjike në Kroaci tregojnë se qytetarët vendas shfaqin distancë të madhe sociale ndaj punëtorëve nga Azia dhe Afrika, e cila në disa raste ka eskaluar në sulme fizike. Në qytetin e Splitit më 2024 janë regjistruar katër sulme ndaj punëtorëve të huaj dhe një rritje alarmante prej 211 për qind e krimeve të urrejtjes, përfshirë sulmin brutal të një grupi të rinjsh ndaj shpërndarësve të ushqimit nga India.

Përtej incidenteve në rrugë, Avokatja e Popullit e Kroacisë ka paralajmëruar se racizmi shpesh shfaqet edhe në formën e diskriminimit ekonomik. Sipas raportimeve institucionale, punëtorët aziatikë shpesh paguhen më pak se punëtorët vendas për të njëjtën punë, u merren pasaportat dhe vendosen në kushte banimi çnjerëzore, nga 10 deri në 15 persona në një dhomë, çka ka nxitur sindikatat kroate të kërkojnë kritere më të rrepta dhe kontrolle të shtuara nga shteti.

Lexo edhe

Jeep nxjerr në ankand Wrangler-in e rrallë me 705 kuaj-fuqi, të gjitha paratë do të dhurohen për qëllime humanitare

Jeep nxjerr në ankand Wrangler-in e rrallë me 705 kuaj-fuqi, të gjitha paratë do të dhurohen për qëllime humanitare

Tri skuadra duan ta transferojnë Edon Zhegrovën, largimi nga Juventusi mund të ndodhë në janar

Tri skuadra duan ta transferojnë Edon Zhegrovën, largimi nga Juventusi mund të ndodhë në janar

Peja dhe Indio e Kalifornisë nisin procedurat për binjakëzim

Peja dhe Indio e Kalifornisë nisin procedurat për binjakëzim

Pse s’ka kasapë në Kroaci? | Momenti