Kombëtarja e Kosovës ka marrë dy lajme të këqija para përballjes vendimtare ndaj Irlandës, në kuadër të UEFA Nations League.
Edon Zhegrova dhe Veldin Hoxha nuk do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjen e së martës në Dublin.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar të dielën se të dy futbollistët janë liruar nga grumbullimi, por për arsye të ndryshme.
Zhegrova është liruar për shkak të një lëndimi, ndërsa Hoxha do të mungojë si pasojë e pezullimit pas kartonit të kuq të marrë ndaj Izraelit.
“Zhegrova është liruar për shkak të lëndimit, i cili ia pamundëson të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës kundër Irlandës, ndërsa Hoxha për shkak të pezullimit si pasojë e kartonit të kuq, pas dy të verdhëve, në ndeshjen e djeshme kundër Izraelit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Të dy futbollistët ishin titullarë në përballjen ndaj Izraelit, e cila përfundoi pa gola, 0:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Mungesat e tyre përbëjnë një tjetër problem për Fodën, i cili do të duhet të gjejë zgjidhje alternative për sfidën e fundit të fazës së grupeve.
Kosova do të përballet me Irlandën të martën në Dublin, në një ndeshje vendimtare për pozitën e dytë në grup.
Burimi: Dukagjini





