Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka publikuar një video të një prindi të përlotur të njërit prej minatorëve të Trepçës që ishin ngujuar mbrëmë në minierë.

Sot Klan Kosova raportoi se të 63 minatorët janë nxjerrë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Po, jam i shqetësum. Djalin e kam mrena”, deklaroi mbrëmë babai i njërit prej 63 minatorëve në një video të publikuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.
Sindikata i bashkëngjiti videos edhe një reagim, duke thënë se “prindërit dhe familjet tona nuk e meritojnë këtë shqetësim”.
“Ata kanë sakrifikuar gjithë jetën për ne dhe nuk u kemi borxh t’ua shtojmë edhe një barrë mërzie e frike”.
Kjo sindikatë thekson më tutje se minatorët meritojnë të trajtohen më mirë dhe me dinjitet edhe për shkak të familjeve të tyre.
“Ky është vetëm njëri prej shumë prindërve dhe familjarëve tanë që po e përjetojnë me dhimbje këtë situatë”.
“Pas çdo minatori që zbret në nëntokë është një familje që pret me ankth kthimin e tij në shtëpi. Prindërit tanë meritojnë të flenë të qetë, jo të jetojnë me frikën se çfarë mund t’i ndodhë djalit të tyre”.
“Ne meritojmë të trajtohemi më mirë, me respekt dhe me dinjitet, sepse pas nesh nuk janë vetëm minatorët, por edhe familjet tona që vuajnë bashkë me ne”.




