Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përmbyllur shqyrtimin e një nisme që synon të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas votimit të amendamenteve, masa u miratua në lexim të dytë.

Më pas, kishte reagime të ndryshme duke ngritur dyshime nëse ky ligj mund të ndikojë realisht në proceset gjyqësore në Hagë. Lidhur me këtë, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
OVL UÇK thotë se spekulimet mbi pasojat e mundshme juridike nuk mund të zëvendësojnë analizën profesionale dhe as të përdoren për ta zhvlerësuar një nismë legjitime institucionale.
“…Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë, duke kërkuar respektimin e standardeve juridike dhe të parimeve mbi të cilat duhet të mbështetet çdo institucion i drejtësisë. Spekulimet mbi pasojat e mundshme juridike nuk mund të zëvendësojnë analizën profesionale dhe as të përdoren për ta zhvlerësuar një nismë legjitime institucionale. Kushdo që pretendon të kundërtën, ka përgjegjësinë ta argumentojë qëndrimin e vet me fakte, dispozita konkrete dhe arsyetim juridik, jo me deklarime politike…”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
Mes tjerash, në reagim u tha se në vend të argumenteve juridike, opinioni publik është përballur kryesisht me polemika, interpretime të njëanshme dhe qëndrime politike, të cilat,siç thotë OVL, nuk mund të trajtohen si përfundime të pakontestueshme.
“…Refuzojmë të besojmë se pas këtyre reagimeve qëndron një përpjekje e qëllimshme për të shkurajuar qytetarët që, natë pas nate e ditë pas dite ,protestuan me dinjitet dhe shpresë për drejtësi. Megjithatë, mënyra dhe koha e këtyre reagimeve krijojnë pikërisht këtë përshtypje…”.
Postimi i plotë:




