Mediumi i madh gjerman “Kicker” raporton se mbrojtësi Albian Hajdari ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe ka gjasa të mungojë ndaj Hamburgut, ndërsa shton se goli që shënoi ndaj Austrisë ia ka rritur vetëbesimin Fisnik Asllanit.

Hoffenheim është nën presion këtë edicion, sidomos me humbjen që pësoi në Evropë ndaj skuadrës OFI Crete.
“Kicker” raporton se Hajdari ka gjasa reale që të mungojë për Hoffenheimin, por shton se lajmi pozitiv është forma e mirë që po kalon Asllani.
“Pjesëmarrja e Hajdarit ndaj Hamburgut mbetet e paqartë. Mbrojtësi po vuan me probleme në gju dhe u detyrua të largohej nga Kosova pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, ku zhvilloi 90 minuta”.
“Por, lajmi pozitiv që vjen nga Kosova është për Fisnik Asllanin. Sulmuesi, që ende s’ka luajtur titullar për klubin këtë sezon, e riktheu formën gjatë pushimit ndërkombëtar, si dhe goli që shënoi në barazimin 1-1 ndaj Austrisë ia ka rritur besimin për javët e ardhshme te Hoffenheimi”, raporton ndër të tjera Kicker.
Përndryshe, sfida mes Hoffenheimit dhe Hamburgut do të zhvillohet këtë të shtunë nga ora 15:00./Telegrafi/




