Koncerti u mirëprit nga publiku i Prishtinës dhe u zhvillua në kuadër të shkëmbimit kulturor ndërmjet Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike të Korçës. Ky bashkëpunim vjen pas prezantimit të Filharmonisë së Kosovës në Korçë, në muajin maj të këtij viti, duke shënuar vijimin e një marrëdhënieje të rëndësishme artistike ndërmjet institucioneve muzikore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Programi koncertal u hap me Suitën Simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit Çesk Zadeja, ndërsa më pas u interpretua Suita Simfonike nga baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” e Feim Ibrahimit. Pjesë e programit ishte edhe “Valle Shqiptare nr. 2” e Thoma Gaqit.

Krahas krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë, publiku pati mundësinë të dëgjojë edhe vepra nga repertori klasik evropian, përfshirë kompozime të Wolfgang Amadeus Mozartit, Pietro Mascagnit, Johannes Brahmsit dhe Antonín Dvořákut.
Koncerti në Prishtinë përbën një tjetër dëshmi të rëndësisë së bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në fushën e muzikës klasike. Shkëmbime të tilla krijojnë mundësi të reja për artistët, forcojnë lidhjet ndërmjet institucioneve kulturore dhe kontribuojnë në pasurimin e jetës artistike në të dyja vendet.
Përmes këtij bashkëpunimi, muzika shërben jo vetëm si një formë e shprehjes artistike, por edhe si një urë që afron më tej publikun dhe institucionet kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Burimi: RTKLive




