Një hap i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës sportive në Mitrovicë është bërë konkret. Ministria e Sportit dhe Rinisë ka publikuar tenderin për ndërtimin e dy fushave të futbollit në kuadër të Klubit të Futbollit Trepça.

Vlera e parashikuar e projektit është 2,139,130.62 euro, ndërsa tenderi është publikuar nga Ministria e Sportit dhe Rinisë. Afati për dorëzimin e ofertave është 26 tetor 2026.
Lajmin e ka bërë të ditur Gazmend Asllani, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili e ka cilësuar këtë projekt si një investim të rëndësishëm për sportin dhe gjeneratat e reja të qytetit.
Asllani ka falënderuar kryetarin e Komunës, Faton Pecin, për përkrahjen në realizimin e këtij projekti.
“Për dikë, dikur, ishte e pamundur, sot tenderi për ndërtimin e dy fushave të futbollit për KF Trepça është i publikuar”.
”Mbi 2.1 milionë euro investim për sportin, për Trepçën dhe për gjeneratat e reja të Mitrovicës”.
“Kur ka vullnet, punë dhe përkushtim, edhe ajo që dukej e pamundur bëhet realitet”.
“Një falënderim i veçantë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për përkrahjen e parezervë dhe angazhimin e vazhdueshëm në realizimin e projekteve të rëndësishme për sportin e Mitrovicës”.
“Nga ideja te puna konkrete. Nga premtimi te realizimi. Për Trepçën, për sportin dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Puna vazhdon!”, ka shkruar Asllani. /Telegrafi/




