Prokurorët në Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar ish-udhëheqësin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, për komplot për kryerjen e torturës.
Akuzat e reja ndaj çiftit u bënë publike të enjten dhe i shtohen akuzave të ngritura më herët për trafikim droge dhe armësh, të cilat ata i kanë mohuar.

Maduro, 63 vjeç, dhe Flores, 69 vjeç, ndodhen në paraburgim që nga janari në një qendër ndalimi në Bruklin, ku u dërguan pasi forcat amerikane i kapën gjatë një bastisjeje para agimit në kompleksin e tyre në kryeqytetin venezuelian, Karakas.
Grupet për të drejtat e njeriut në Venezuelë dhe ish-të burgosur kanë denoncuar prej kohësh atë që e kanë përshkruar si “torturë sistematike” në burgjet venezueliane.
Gjykimi për Maduron dhe Flores pritet të nisë në qershor të vitit 2027.
Të dy po mbahen në një qendër ndalimi në Bruklin dhe pritet të qëndrojnë aty, pasi një gjykatës hodhi poshtë të enjten kërkesën e Floresit për t’u transferuar në arrest shtëpiak.
Akuzat e reja lidhen me torturën e pretenduar ndaj shtetasve amerikanë që mbaheshin në Venezuelë gjatë kohës kur Maduro ishte në pushtet.
Aktakuza e ndryshuar, e bërë publike të enjten, e akuzon çiftin ish-president për “forcimin e pushtetit të tyre”, duke udhëhequr “një sistem represioni që mbështetej në dhunën ndaj opozitës politike, ndalimet arbitrare dhe torturimin e të ndaluarve, përfshirë shtetas të Shteteve të Bashkuara”, raporton BBC.
Burimi: RTKLive




