Me uljen e temperaturave në vjeshtë, në Zvicër rikthehet çdo vit pyetja se kur duhet të ndizet ngrohja në banesa dhe çfarë mund të bëjnë qiramarrësit nëse apartamenti mbetet i ftohtë.

Sezoni i zakonshëm i ngrohjes zgjat nga mesi i shtatorit deri në mesin e majit. Megjithatë, nuk vendos vetëm kalendari. Nëse temperaturat jashtë bien ndjeshëm, pronari duhet të sigurojë që banesa të ketë ngrohje të përshtatshme.
Nëse ngrohja nuk funksionon siç duhet dhe temperatura në banesë është shumë e ulët, qiramarrësi duhet ta njoftojë pronarin ose administratën dhe ta dokumentojë problemin. Në rast se situata nuk zgjidhet, mund të kërkohet edhe ulje e qirasë për periudhën kur banesa nuk ka pasur ngrohje të mjaftueshme, shkruan The Local, transmeton Telegrafi.
Në Zvicër nuk ka një temperaturë të vetme minimale të përcaktuar me ligj për çdo banesë.
Si orientim, për hapësirat e banimit përdoren rreth 20–21°C, ndërsa temperaturat më të ulëta mund të konsiderohen problem në varësi të rrethanave.
Për qiramarrësit, këshilla kryesore është që çdo problem me ngrohjen të raportohet sa më shpejt dhe të ruhen dëshmitë për temperaturën dhe kohëzgjatjen e problemit./Telegrafi/




