Shqipëria ka marrë miratimin paraprak nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”.
Zhvillimi shënon një tjetër hap përpara në procesin e integrimit europian të vendit.

Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Takimi është parashikuar të zhvillohet më 13 tetor në Luksemburg, ku pritet të zyrtarizohet edhe avancimi i Shqipërisë në këtë kapitull të negociatave.
Vendimi është përshëndetur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, përparimi në Kapitullin 20 krijon perspektiva më të mira për investimet, inovacionin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Burimi: Dukagjini




