Google ka bërë të disponueshëm për të gjithë përdoruesit në mbarë botën SynthID Detector, një mjet që mund të kontrollojë nëse një imazh, video ose skedar audio është krijuar me inteligjencë artificiale.

Mjeti është tashmë i disponueshëm globalisht në gjuhën angleze dhe, përveç përmbajtjeve të krijuara me teknologjitë e Google, mund të identifikojë edhe materiale të prodhuara me AI nga kompani partnere, përfshirë OpenAI, NVIDIA dhe Kakao. Google thotë se së shpejti do të mbështetet edhe përmbajtja e krijuar me mjetet e AI-së së Apple.
SynthID funksionon duke vendosur shenja uji të padukshme në përmbajtjet e krijuara me AI. Këto shenja nuk janë të dukshme për syrin e njeriut, por mund të zbulohen nga sistemi i Google.
Kur një përdorues ngarkon një imazh, video ose skedar audio në SynthID Detector, mjeti kërkon këto shenja. Nëse identifikon një watermark SynthID, përdoruesi merr informacion se përmbajtja është krijuar me AI.
Google e përshkruan sistemin si një mënyrë të thjeshtë për t’u dhënë përdoruesve më shumë informacion mbi origjinën e materialeve që shohin në internet.
Google e prezantoi SynthID në vitin 2023 dhe që atëherë teknologjia është zgjeruar nga imazhet edhe te videot dhe përmbajtjet audio, transmeton Telegrafi.
Sipas kompanisë, deri tani janë pajisur me watermark më shumë se 180 miliardë imazhe dhe video, ndërsa SynthID ka shënuar edhe përmbajtje audio me një kohëzgjatje totale prej rreth 240 mijë vjetësh.
Vitit të kaluar, Google kishte vënë në dispozicion një version fillestar të SynthID Detector për një grup të kufizuar profesionistësh të medias, gazetarësh dhe studiuesish, me qëllim verifikimin e përmbajtjeve të dyshuara si të krijuara me AI.
Tani, ky shërbim është hapur për publikun e gjerë, duke i lejuar përdoruesit të kryejnë vetë verifikimin përmes portalit të SynthID Detector.
Google kishte ofruar më herët një funksion të ngjashëm përmes aplikacionit Gemini, ku përdoruesit mund të ngarkonin materiale dhe të pyesnin nëse ato ishin krijuar ose modifikuar me AI të Google.
SynthID Detector synon ta bëjë këtë proces më të drejtpërdrejtë, duke ofruar një mjet të dedikuar për kontrollimin e imazheve, videove dhe audios.
Megjithatë, sistemi mund të identifikojë vetëm përmbajtjet që mbajnë një watermark të dallueshëm nga SynthID. Për këtë arsye, fakti që një skedar nuk identifikohet si i krijuar me AI nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai është krijuar nga njeriu.
Mjeti i ri është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Google për të rritur transparencën rreth përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale. Kompania ka zgjeruar gjithashtu funksionet e verifikimit në Google Search, aplikacionin Gemini dhe Chrome, të cilat së bashku trajtojnë rregullisht më shumë se 1 milion kërkesa verifikimi në ditë. /Telegrafi/




