Futbolli është ëndrra e shumë fëmijëve në Kosovë, por ndjekja e kësaj ëndrre po shoqërohet me shpenzime gjithnjë e më të mëdha për familjet.

Pagesat mujore në shkollat e futbollit, stërvitjet individuale, transporti dhe pajisjet sportive po krijojnë një barrë financiare, që jo të gjithë prindërit mund ta përballojnë.
Për disa familje kjo situatë ka ndikuar edhe në vendimet për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ka shumë fëmijë që detyrohen ta lënë në gjysmë ëndrrën, disa për shkak të kushteve, disa për kohën e vogël në lojë, e disa që nuk duan ta vazhdojnë për të ndjekur ëndrra të tjera.
Sa harxhon një prind për një fëmijë në futboll?
Telegrafi ka intervistuar prindin SH.G., i cili e dërgon djalin në një nga shkollat e regjionit të Prishtinës. Ai tregon se për futbollin e djalit shpenzon shumë më tepër sesa vetëm pagesën mujore të shkollës. Djali i tij konsiderohet talent nga trajnerët dhe ka moshën 9 vjeç.
Ai paguan 50 euro në muaj për shkollën e futbollit, ku djali zhvillon tri stërvitje në javë. Megjithatë, për shkak të numrit të madh të fëmijëve dhe numrit të kufizuar të trajnerëve, ka vendosur t’i sigurojë të birit edhe stërvitje individuale.
“Trajnerë ka pak, fëmijë shumë. Shkon stërvitja pa e prek ndoshta edhe topin. Për të mos mbetur djali pas me stërvitje, më duhet medoemos t’ia shtoj ditët. Tri herë në javë ka stërvitje te klubi, dy herë te trajneri privat”, tregon ai.
Për këto stërvitje individuale paguan 100 euro në muaj, ndërsa rreth 50 euro të tjera i shpenzon për karburant, duke e dërguar djalin në stërvitje dhe ndeshje nëpër rajonin e Prishtinës.
Sipas përllogaritjes së tij, shpenzimet vjetore për futbollin e djalit arrijnë rreth 3,000 euro, duke përfshirë edhe kostot e tjera, si pajisjet, turnet dhe shpenzimet përcjellëse.
Page mesatare në Kosovë është dikur rreth 650 euro. Një familje me një pagë dhe një fëmijë në futboll, duhet ta harxhojë mbi 20 përqind të të ardhurave në ëndrrat e fëmijës.
Pamje nga aktivitet e GrassrootsFoto: FFK
“Djali i madh e la futbollin, por të dyve ia ndërrova shkollën, pasi u shtrenjtua”
Një prind, tjetër, P.S. i cili ka pasur dy djem në futboll, tregon se për një kohë paguante nga 70 euro në muaj për secilin. Kur kishte marrë vesh se shkolla ku ishin regjistruar do ta rriste pagesën në 100 euro, vendosi t’i largonte të dy nga ajo shkollë.
Djali i madh, tashmë 14-vjeçar, nuk merret më me futboll, ndërsa më i vogli është regjistruar në një shkollë tjetër, ku pagesa mujore është 50 euro.
“Jam liruar paksa nga pagesat, pasi me dy djem ishte e vështirë. 140 euro në muaj nuk janë pak dhe kjo vetëm për stërvitje në shkollë. Me një llogari të shpejt, prej se i kam në futboll, besoj që kam harxhuar diku rreth 15 mijë euro për të dy”, tregon P.S. për Telegrafin.
Ai thotë se, pas më shumë se dhjetë vjetësh përvojë me fëmijët në shkollat e futbollit, ka vërejtur se shumë prej tyre largohen nga ky sport në një moshë të caktuar, sidomos pas moshës 15 vjeçare.
“Klubet dhe shkollat po kanë vështirësi që të gjejnë fëmijë nga mosha 15 vjet e lartë, pasi shumë prej tyre e lënë futbollin. Punojmë pak siç duket me moshat delikate”, tregon ai.
Sipas tij, arsyet pse fëmijët janë të ndryshme: disa nuk kanë mundësi ekonomike, disa humbin interesimin, ndërsa të tjerë ndihen të trajtuar padrejtësisht.
Çfarë është më shqetësuese, sipas prindërve të intervistuar pagesat bëhen në dorë dhe nuk marrin kupon. Ka disa shkolla futbolli që pagesën e pranojnë edhe bëjnë përmes bankës.
Pamje në nga turnet ku shkollat e Kosovës marrin pjesë rregullisht
Nga 50 deri në 70 euro për shkollën, deri në 25 euro për një stërvitje individuale
Hulumtimi i Telegrafit në shkollat e futbollit tregon se pagesat mujore për fëmijët sillen nga 50 deri në 70 euro. Por kjo nuk është domosdoshmërisht kostoja e vetme për familjet që synojnë t’u ofrojnë fëmijëve të tyre kushte më të mira për zhvillim.
Stërvitjet individuale kushtojnë nga 15 deri në 25 euro për seancë, ndërsa një pjesë e fëmijëve ndjekin nga katër deri në tetë seanca të tilla brenda muajit. Kjo nënkupton shpenzime shtesë prej 60 deri në 200 euro.
Në total, një familje mund të shpenzojë nga 110 deri në 270 euro në muaj vetëm për pagesën e shkollës dhe stërvitjet individuale.
Në përllogaritje vjetore, kjo shumë arrin nga 1,320 deri në 3,240 euro, pa përfshirë transportin, pajisjet sportive, turnetë, ushqimin dhe shpenzimet për ndeshje e turne.
Këto janë çmime të evidentuara gjatë hulumtimit dhe nuk përfaqësojnë tarifa të unifikuara për të gjitha shkollat e futbollit në Kosovë.
Megjithatë, ato tregojnë se sa e kushtueshme mund të bëhet ndjekja e këtij sporti për një familje, veçanërisht kur fëmija ka nevojë edhe për stërvitje shtesë.
Shkollat e futbollit përfitojnë nga Ligji për Sponsorizim, por shifrat e sakta janë të vështira për t’u ndarë
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij hulumtimi lidhet me përfitimet që shkollat e futbollit kanë nga Ligji për Sponsorizim. Ky mekanizëm u mundëson bizneseve që të mbështesin sportin dhe të përfitojnë lehtësime tatimore, ndërsa në mesin e përfituesve janë edhe subjekte që zhvillojnë aktivitete të futbollit për fëmijë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga hulumtimi i Telegrafit, vlera e sponsorizimeve që shkojnë për shkollat e futbollit kalon 500 mijë euro në vit. Megjithatë, identifikimi i shumave të sakta që përfitojnë vetëm shkollat paraqet vështirësi.
Kjo për shkak se një pjesë e subjekteve që funksionojnë njëkohësisht si klube dhe shkolla futbolli i paraqesin përfitimet nga sponsorizimi në emër të klubit.
Në këto raste, shuma e certifikuar ose e përfituar regjistrohet në emër të subjektit sportiv dhe nuk është gjithmonë e mundur të ndahet se sa prej saj shkon për ekipin e parë, sa për kategoritë e reja dhe sa për aktivitetin e shkollës së futbollit.
Ka raste, sikurse Shkolla e Futbollit, Pro Prishtina, në vitin 2025, ka marr 50 mijë euro nga sponsorët përmes ligjit. Këto të dhëna janë siguruar nga Ministria e Sportit.
Për këtë arsye, mbetet e rëndësishme të sigurohen të dhëna të detajuara nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të identifikohen përfituesit, shumat dhe mënyra se si përdoren këto mjete.
Një prej pyetjeve kryesore është nëse mbështetja nga sponsorizimet ndikon edhe në uljen e pagesave për prindërit apo në krijimin e vendeve pa pagesë për fëmijët nga familjet me gjendje më të vështirë ekonomike.
Futbolli prin me përfitime nga Ligji për Sponsorizim Foto: Telegrafi
Rajoni i Prishtinës, një prej shtyllave kryesore të futbollit kosovar
Kosova dhe FFK kanë bërë në mars dhjetë vite në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, dhe sipas kryetarit të federatës, Agim Ademit janë 15,092 futbollistë, prej të cilëve 14,449 meshkuj dhe 643 femra. Janë 1693 trajnerë dhe 434 gjyqtarë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Telegrafi, lojtarë të rinj, nga grupmoshat U19 e poshtë, janë diku mbi 12 mijë fëmijë që zhvillojnë aktivitetet.
Përmasat e këtij fenomeni mund të kuptohen më mirë përmes aktivitetit të madh që zhvillohet në rajonin e Prishtinës. Ky rajon përfshin shtatë komuna: Prishtinën, Podujevën, Lipjanin, Drenasin, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën.
Sipas të dhënave të siguruara nga rajoni, në këtë hapësirë futboll luajnë rreth 7,500 futbollistë, ndërsa aktualisht janë 61 shkolla futbolli. Rajoni ka rreth 30 deri në 40 fusha, ku zhvillohen afërsisht 120 deri në 130 ndeshje brenda një jave.
Këto shifra e bëjnë rajonin e Prishtinës një prej qendrave më të mëdha të aktivitetit futbollistik në vend. Sipas vlerësimeve të mbledhura gjatë hulumtimit, ky rajon përfaqëson rreth 35 deri në 40 për qind të futbollit në Kosovë, ndonëse vendi është i ndarë në shtatë rajone.
Përveç numrit të madh të fëmijëve dhe aktivitetit të vazhdueshëm, rajoni i Prishtinës vlerësohet edhe për kontributin në zhvillimin e talenteve. Kjo dëshmohet edhe nga numri i futbollistëve të këtij rajoni që ftohen në ekipet kombëtare të Kosovës në grupmosha të ndryshme. Puna e shkollave, klubeve dhe trajnerëve në këtë pjesë të vendit meriton vlerësim, pasi një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së futbollit kosovar ndërtohet pikërisht në këto struktura.
Megjithatë, krahas këtij kontributi dhe aktiviteti të madh, shtrohet një pyetje e rëndësishme: a kanë të gjithë fëmijët mundësi të barabarta për të qenë pjesë e këtij sistemi, apo gjendja ekonomike e familjes po bëhet një prej faktorëve që përcakton nëse një fëmijë do të vazhdojë të luajë futboll?
Përmes programit Grassroots, FFK-ja është përpjekur ta bëjë futbollin më të qasshëm edhe për fëmijët që, për shkak të rrethanave të ndryshme, nuk kanë mundësi të regjistrohen në shkollat e futbollit, duke përfshirë rreth 8,000 fëmijë në projektet e futbollit bazë, me synimin që ky sport të jetë i hapur për të gjithë.
Pamje nga aktivitet e GrassrootsFoto: FFK
SC Gjilani: Në shkollën tonë kemi fëmijë të liruar nga pagesat
Megjithatë, jo të gjitha shkollat e futbollit e trajtojnë pagesën mujore si kusht të domosdoshëm për pjesëmarrjen e fëmijëve, pasi pothuajse të gjitha kanë një numër të caktuar pa pagesë, por ky numër vazhdon të jetë i vogël.
Drilon Sylejmani, menaxher i SC Gjilanit, tregon se në shkollën e tyre ka fëmijë që janë liruar plotësisht nga pagesat, kryesisht për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjeve.
“Ne në shkollën tonë të futbollit kemi disa nxënës të cilët janë të liruar nga pagesat për arsye të mundësive të tyre financiare, të cilat mund të jenë të papërballueshme, ndërkohë që potenciali i tyre ekziston për të qenë futbollistë në të ardhmen. Stafi i shkollës gjithmonë u jep hapësirë dhe kohë për ta treguar potencialin e tyre dhe, në rastet e tilla, i liron nga pagesat”.
“Gjithashtu, nëse nga një familje janë më shumë se një nxënës, ofrohen lehtësira në pagesë, përkatësisht zbritje nga shuma mujore që duhet paguar. Nga pagesa lirohen edhe fëmijët që nuk i kanë prindërit”.
“Ne në shkollën tonë synim kryesor kemi të nxjerrim nxënës me edukim dhe kulturë të lartë sportive, e më pas që ata të bëhen futbollistë në të ardhmen, dhe jo pagesat mujore që i presin të gjithë në fund të muajit”, ka deklaruar Sylejmani për Telegrafin.
Rasti i përmendur nga menaxheri i SC Gjilanit tregon se ekzistojnë edhe modele të mbështetjes për fëmijët që nuk kanë mundësi ekonomike.
Kjo qasje është e rëndësishme për të siguruar që talenti dhe dëshira për futboll të mos mbeten peng i gjendjes financiare të familjes.
*Disa emra janë ndryshuar për mbrojtjen e identitetit të bashkëbiseduesve, pasi fëmijët e tyre vazhdojnë ta ushtrojë aktivitetin dhe nga frika që shkollat mund t’i largojnë, kanë preferuar të flasin me iniciale.





