Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në New York me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti ka thënë se në takim është diskutuar për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit.
Ai ka ritheksuar qëndrimin që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, duke e cilësuar këtë si të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon.
Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera. E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka shkruar Kurti.

