Kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiq, dyshohet se ka sulmuar fizikisht Tanja Miqiq, këshilltare lokale e Lëvizjes “”Krijo Ndryshim”, gjatë një incidenti në Novi Beograd. Sipas dëshmisë së Miqiq dhe raportimeve të mediave serbe, ajo ka pësuar lëndime në hundë, ndërsa pretendon se Shapiq e ka goditur pasi ajo është vendosur mes tij dhe bashkëshortit të saj.
Portali Nova.rs ka siguruar dhe publikuar një video të regjistruar menjëherë pas incidentit, në të cilën shihet Shapiqi duke u larguar nga vendi ku kishte ndodhur përplasja. Më pas, ai ndalet, kthehet dhe me gjeste i drejtohet një burri që ndodhet pranë Miqiqit. Sipas Nova.rs, pamjet përputhen me dëshminë e këshilltares, e cila ka thënë se Shapiqi e kishte ftuar bashkëshortin e saj të largohej në një pjesë të errët të rrugës për t’u përleshur me të.
Në pamje nuk mund të përcaktohet se çfarë i thotë saktësisht Shapiqi burrit, por momenti është publikuar nga organizata pjesë e së cilës është aktivistija, si pjesë e materialeve që dokumentojnë zhvillimet pas incidentit.
Miqiq ka rrëfyer për Nova.rs se ishte duke shëtitur me bashkëshortin dhe qenin e tyre në lagjen ku jetojnë, kur janë takuar me Shapiqin. Sipas saj, kryetari i Beogradit fillimisht e ka akuzuar se kishte dërguar njerëz para shtëpisë së tij.
Ajo ka thënë se, kur tentoi të nxirrte telefonin për ta filmuar situatën, Shapiqi filloi ta godiste. Më pas, sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti ndërhyri për ta mbrojtur dhe ajo u vendos mes tyre.
“Ai u nis ta mbrojë dhe unë u vendosa mes tyre. Ai më goditi në hundë, kështu që menjëherë më filloi gjakderdhja. Ma shtrembëroi hundën”, ka deklaruar Miqiq.
Lëvizja “K”Krijo Ndryshim” ka njoftuar se këshilltares i është thyer hunda. Miqiq ka thënë se do të kryente kontroll mjekësor për të dokumentuar lëndimet dhe më pas do të jepte deklaratë zyrtare në polici.
Sipas saj, gjatë përplasjes Shapiqi ka kërcënuar atë dhe bashkëshortin e saj, ndërsa bashkëshortit i ka kërkuar të largohej për t’u përleshur me të.
Pas incidentit, në vendngjarje ka mbërritur policia. Në një tjetër video të publikuar nga mediat serbe shihet Shapiqi duke u nisur drejt veturës së policisë, ndërsa kryetari i “”Krijo Ndryshim”, Savo Manojlloviq, e pyet: “Gruan ta godasësh?”.
Shapiqi i është përgjigjur: “Unë ta godas? Hajde, mos bëj teatër”. Më pas ai është futur në automjetin e policisë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Shapiqi më vonë është liruar. Sipas raportimeve, lëvizja “”Krijo Ndryshim” ka kërkuar informacion se cili prokuror ishte kujdestar në rastin në fjalë. Deri në raportimet e fundit, autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim të detajuar zyrtar për procedurën e mëtejshme.
Ndërkohë, Nova.rs ka bërë të ditur se e ka kontaktuar Shapiqin për të marrë versionin e tij për incidentin. Ai është përgjigjur në telefon, por pasi gazetarët u prezantuan dhe parashtruan pyetjen lidhur me sulmin, telefonata është ndërprerë.
The post Kryetari i Beogradit dyshohet se sulmoi këshilltaren e Lëvizjes “Krijo Ndryshim”, raportohet se ia theu hundën appeared first on Gazeta Express.

