Profesori në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Ismajli, ka kritikuar skenën politike në Kosovë, duke thënë se qeveria aktuale ka funksionuar pa një opozitë të mirëfilltë gjatë pesë viteve të fundit.
Në një intervistë, Ismajli ka deklaruar se kriza politike është rezultat i dështimit të partive politike për të gjetur zgjidhje për qytetarët, duke theksuar se asnjë skenar aktual nuk garanton një dalje më të mirë nga situata.
“Këtë situatë, çfarëdo skenari racional që ta diskutojmë, është e kotë, pasi ne do të shohim një skenar jo më të mirë. Kemi parë tri palë zgjedhje të partive politike që nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje, jo vetëm për ta, por për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, përgjegjësia për këtë gjendje është si te partitë në pushtet, ashtu edhe te opozita, të cilat, sipas tij, nuk kanë arritur të ofrojnë një alternativë politike.
“Kam një ide se krejt çka po ndodh është për shkak se partitë politike, si në pushtet ashtu edhe opozitare, kanë dështuar përballë një pushteti arrogant për të ofruar një alternativë”, është shprehur ai.
Ismajli ka thënë se pushteti, pavarësisht shumicës parlamentare, nuk ka marrë parasysh problemet me të cilat përballen qytetarët, duke përmendur gjendjen ekonomike, sociale, arsimin dhe shëndetësinë.
“Pushteti me numra të plotë ka shpërfillur vullnetin popullor, por edhe gjendjen sociale e ekonomike, krizat që po përballen qytetarët dhe problemet e shumta, qoftë në ekonomi, arsim e shëndetësi”, ka deklaruar profesori i UP-së.
Ai ka thënë se mungesa e një opozite efektive ka bërë që qeveria të mos ketë një kundërpeshë të fortë politike.
“Qeveria në këto pesë vjet ka funksionuar pa opozitë. Kemi parë një dështim total të opozitës përballë një pushteti i cili ka pasur shumicë”, ka thënë Ismajli.
Sipas tij, partitë opozitare duhet të rishikojnë qasjen e tyre dhe të krijojnë një alternativë të re politike.
“Dy partitë opozitare duhet të krijojnë një mundësi të re politike për këtë vend, sepse kanë dështuar edhe në ofrimin e një alternative, por edhe në funksionin e tyre se çfarë janë në shoqëri”, ka deklaruar ai.
Duke komentuar qasjen e pushtetit, Ismajli ka kritikuar deklaratat që, sipas tij, krijojnë pritshmëri të paqëndrueshme te qytetarët.
“Ky pushtet në këto momente ka filluar të tregojë përralla me mbret, përralla me gjermanë, norvegjezë e suedezë, sikur po lexon fabula që Kurti ua lexonte njerëzve. Ishte tallje”, ka thënë ai.
Ismajli ka kritikuar edhe mënyrën se si liderët politikë komunikojnë me qytetarët, duke thënë se vendit i duhen politika konkrete dhe jo vetëm deklarata.
“Kemi ardhur në një situatë ku njeriu që ka më së shumti vota në vend del dhe tallet, dhe nuk i vjen asnjë pikë keq që të dalë e të tregojë përralla të tilla”, ka përfunduar Ismajli.

