Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për zgjidhjen e çështjes së presidentit të Kosovës, duke kërkuar nga liderët politikë dhe deputetët që të respektojnë marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për kandidatin për president.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë “Kurti 4”, një ditë pas votimit të kabinetit të ri qeveritar në Kuvend, Kurti tha se institucionet e vendit tashmë janë funksionale dhe se përpara mbetet zgjedhja e presidentit.
“Sot kur po flasim jemi me Kuvend të konstituar e Qeveri të zgjedhur, e përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes LVV-LDK për kandidatin për president”, deklaroi Kurti.
Ai tha se sfida tashmë është qëndrimi i disa deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur mes dy partive.
“Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi negociatash jo të lehta”, tha kryeministri.
Kurti u shpreh se vendi është shumë pranë zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe paralajmëroi se rikthimi në zgjedhje do të ishte i panevojshëm.
“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje”, theksoi ai.
Në cilësinë e kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit, Kurti u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që ta përmbyllin procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër, ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve: le ta zgjedhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Kurti.
Ai paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor, sipas tij, nuk do të sillte ndryshime në skenën politike dhe do të ishte në kundërshtim me interesin publik.
“Jam i bindur se edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që s’do të sillte diçka të re në mozaikun politik, por do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, tha Kurti.
Kryeministri foli edhe për periudhën e gjatë të bllokadës institucionale dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, duke thënë se qytetarët në dy raste kanë dhënë një mesazh të qartë përmes votës.
Sipas tij, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, vendi pati dy procese të tjera zgjedhore, më 28 dhjetor 2025 dhe 7 qershor 2026, të cilat, siç tha Kurti, nuk sollën rezultat tjetër në mozaikun politik.
Kurti e nisi fjalimin duke falënderuar qytetarët për besimin dhe deputetët për votimin e Qeverisë së re, duke theksuar se kabineti i tij do të fokusohet në punën për qytetarin dhe mbrojtjen e shtetit.
“Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin e mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën”, tha ai. /Telegrafi/

