Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Kosovë, ka prezantuar Rregullën për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme (BEBR), të miratuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Rregulla përcakton mënyrën se si qytetarët, bizneset dhe komunitetet mund të bashkohen për të prodhuar dhe përdorur energji nga burimet e ripërtëritshme, përfshirë energjinë nga panelet solare, raporton Telegrafi.
Drejtoresha Ekzekutive e CDF-së, Nermin Mahmuti, tha se ky angazhim është realizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Suedisë.
Sipas saj, projekti ka nisur në vitin 2023 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit 2028.
Mahmuti bëri të ditur se CDF ka punuar ngushtë me ZRRE-në në hartimin e rregullës, pas kërkesës së këtij institucioni për mbështetje në përpilimin e legjislacionit dytësor.
“Arsyeja pse sot e kemi bërë këtë konferencë është që të sqarojmë dhe informojmë komunitetin e interesuar, jo vetëm qytetarët të cilët mund të krijojnë këto bashkësi të energjisë, por edhe nivelin lokal apo komunat, të cilat mund të jenë pjesë e këtyre burimeve energjetike të ripërtëritshme”, ka deklaruar Mahmuti.

Nga Ministria e Ekonomisë, Shqipe Gashi, tha se angazhimi i ministrisë në këtë proces ka nisur me një vizitë studimore në Austri, ku janë parë nga afër modelet e bashkësive energjetike.
“Angazhimi i Ministrisë në këtë proces filloi me pjesëmarrjen në një vizitë studimore në Austri, ku nga afër të shohim modelet e bashkësive për energji, duke përfshirë edhe bashkësitë për energji nga burimet e ripërtëritshme, në një shtet ku bashkësitë për energji ishin shumë të zhvilluara, si Austria”, tha Gashi.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Tregut të Energjisë në ZRRE, Skender Muqolli, tha se Kosova është e orientuar drejt energjisë së ripërtëritshme dhe reformave në sektorin e energjisë.
“Ne si shtet jemi të orientuar drejt energjisë së ripërtëritshme dhe drejt reformave të sektorit të energjisë në përgjithësi. Gjithashtu është zhvilluar dhe funksionalizuar bursa shqiptare e energjisë përmes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Muqolli.

Eksperti teknik dhe rregullativ, Ilir Shala, e cilësoi miratimin e rregullës si një hap të rëndësishëm për sektorin e energjisë në Kosovë.
“Me miratimin e Rregullës për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme në Republikën e Kosovës, nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është kryer një proces shumë i rëndësishëm për sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh se konsumatori nga aktiviteti i tij pasiv do të kalojë aktiv, me vetë faktin se mund të jetë edhe anëtar i bashkësi si konsumator”, tha Shala.
Sipas tij, përmes kësaj rregulle konsumatori kalon nga një rol pasiv në një rol më aktiv, pasi mund të jetë edhe anëtar i një bashkësie të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Rregulla synon të krijojë mundësi të reja për qytetarët, bizneset dhe komunitetet që të përfshihen në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së pastër, ndërsa zbatimi i saj pritet të hapë rrugën për funksionalizimin e bashkësive të energjisë nga burimet e ripërtëritshme në Kosovë. /Telegrafi/

