Një 47-vjeçar me inicialet M.J. është arrestuar në Tiranë, të hënën paradite, pasi dyshohet se dha alarm të rremë për terrorizëm dhe lëndë të rrezikshme në një shkollë nëntëvjeçare në kryeqytetin shqiptar.
Ai kishte telefonuar rreth orës 6:30 në policinë e shtetit.
Me atë rast kishte pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në institucionin e arsimit të ulët.
Pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar kanë dalë shërbimet policore, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror. Kontrollet vërtetuan se informacioni ishte i rremë dhe se në objekt nuk kishte lëndë të rrezikshme.
Sipas Policisë, 47-vjeçari dyshohet se të njëjtin informacion e publikoi edhe në rrjetet sociale.
Ai u arrestua për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Është bërë e ditur se materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
The post Alarm i rremë për terrorizëm në një shkollë në Tiranë, arrestohet 47-vjeçari appeared first on Gazeta Express.

