Në kuadër të hetimeve për rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës po vazhdojnë punën në terren.
“Në lokacionin e tretë, gjatë ditës së shtunë, hetuesit e rastit kanë njoftuar prokuroren Florije Salihu – Shamolli, lidhur me gjetjet dhe rezultatet e deritanishme.
Hetimet dhe procedurat po zhvillohen në bashkëpunim me institucionet kompetente” thuhet në njoftimin e shkurtër të Sistemit prokurorial, pa dhënë hollësi të tjera.
Më herët, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se po kryhen hetime për një lokacion të tretë për varrezë masive.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila shtoi se hetimet për krimeve të luftës në Zubin Potok, po vazhdojnë në mënyrë intensive.
Gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në Kalludër të Zubin Potokut nisën në fund të korrikut, ndërkaq disa ditë më parë, nisën gërmime edhe në Jakubë, të po kësaj komune në veri të Kosovës.
Sipas një raporti të publikuar më 29 korrik, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës tha se bazuar në të dhënat preliminare, janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.

