Disa çerdhe të reja pritet t’i shtohen kryeqytetit.
Drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Arianit Elshani ka njoftuar se me çerdhe do të bëhen lagjja e Dardanisë, Prishtinës së vjetër, e ajo e Kolovicës.
Por sfiduese për këtë drejtori pritet të jetë rekrutimi i edukatorëve.
Kjo për shkak të një granti, sipas të cilit, numri i edukatorëve të pranuar duhet të jetë në proporcion me numrin e nxënësve.
Sipas Elshanit, kërkesat për të regjistruar fëmijë janë më të mëdha.
“Granti specifik parasheh vetëm numra mbi numrin e nxënësve pra të jep mundësi me rekrutu staf, edukatore, për aq sa ke numrin aktual të nxënësve në kopshte dhe në shkolla fillore dhe të mesme, por jo në projeksionet se sa janë nevojat reale të qytetit. Këtu ne e dimë që në Prishtinë veçanërisht kemi shumë zona të papërfshira në çerdhe. Përshembull ne mund të kemi 3500 kërkesa për regjistrim në kuadër të gjeneratave, por oferta në anën tjetër e Komunës dhe Kopshteve është 700 nxënës, që është një numër i vogël me krahasim dhe ne mjetet i marrim vetëm për këta 700”, deklaroi Arianit Elshani.
Për këtë, nga kjo Drejtori po kërkojnë mbështetje nga Ministria e Arsimit.
“Janë disa kategori që kanë nevojë për mbështetjen e nivelit qeveritar, është çështja e edukatorëve, asistentëve dhe gjithë stafit mbështetës edhe logopedëve edhe psikologëve. Këto janë kategori për të cilat kemi sfidë si drejtori komunale e Prishtinës, këto si të vetëm nuk arrijmë me iu dalë zot secilit qytetar, pikërisht për shkak të problemeve ligjore dhe udhëzimit administrativ”, theksoi Elshani.
Por cila është zgjidhja, sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci.
“Nëse është problemi te buxheti, atëherë Komuna duhet ta shtojë buxhetin e vet, pasi në Komunën e Prishtinës nevojat për mësimdhënës janë më të mëdha se sa që jep granti, dhe kjo ndodhë vetëm në dy komuna, në Prishtinë dhe në Fushë Kosovë, e nëse është problemi të numri atëherë mund të bëhet përmes kontraktimit të përkohshëm”, deklaroi Popovci.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit se nëse do të ofrojë këtë mbështetje, por nuk ka marrë një përgjigje.

