Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka takuar të martën në selinë e KFOR-it në Kampin Film City kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, me kërkesë të këtij të fundit.
Në takim kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simić, deputetja Jovana Radosavljević dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojević.
Sipas KFOR-it, gjatë takimit është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe procesin e paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.
Ulutaş ka thënë se ky proces është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it ka theksuar se ndryshimet do të bëhen gradualisht dhe do të varen nga kushtet në terren.
Sipas tij, procesi mund të rikthehet nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
KFOR-i ka bërë të ditur gjithashtu se do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e tij të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.
Ulutaş ka theksuar se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe se është i përkushtuar për mbrojtjen e tij.
Sa i përket urës kryesore në Mitrovicë, KFOR-i ka njoftuar se kalimi gradual i pranisë së tij nga ura ka hyrë në fazën fillestare.
Pas përfundimit të këtij procesi, sipas KFOR-it, misioni do të mbajë prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve. /Gazeta Express
The post Srpska në takim me KFOR’in, Ulutas ua sqaron se vendimi i fundit për Urën e Ibrit është i kushtëzuar: Ndryshon, nëse është e nevojshme appeared first on Gazeta Express.

