Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka deklaruar se nuk konsideron se është shkelur Kushtetuta në situatën aktuale politike, ndërsa ka bërë thirrje që partitë opozitare, nëse kanë pretendime për shkelje kushtetuese, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Haliti tha se opozita deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vlerësim lidhur me situatën e krijuar pas përfundimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.
Ai u shpreh se Kushtetuta e Kosovës nuk i ka të përcaktuara qartë të gjitha situatat me të cilat vendi është përballur viteve të fundit, duke përmendur edhe rastin e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
“Nëse dikush konsideron që është shkel Kushtetuta, atëherë duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk konsiderojmë që ka shkelje kushtetuese. Edhe pse paritë opozitare flasin gjatë gjithë kohës, nuk ndërmarrin asnjë hap që ta dërgojnë lëndën në GJK. Dhe të marrin një mendim ose vlerësim nga ta…
Unë konsideroj që ka shumë tema që Kosova po përballet për herë të parë viteve të fundit, që nuk janë qartë normuara në Kushtetutën e Kosovës. Kështu që shpesh është dashur edhe t’i drejtohemi GJK për interpretimin e neve të Kushtetutës, për shkak se nuk kanë qenë të qartë në situata që është përballë Kosova. Njëra ndër to është edhe 30-tshi, ku nuk specifikohet se cka ndodh nëse nuk ndodh konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve, d.m.th. hesht në këtë pikë…”, deklaroi Haliti.
Deklarata e deputetit të VV-së vjen disa ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pavarësisht përfundimit të këtij afati, partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për zhbllokimin e procesit dhe formimin e institucioneve të reja.
Situata politike mbetet e bllokuar, ndërsa nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, vendi rrezikon të përballet njëkohësisht me mungesën e një Kuvendi funksional dhe me përfundimin e periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës së presidentit.

