Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fajësuar qytetarët e SHBA-së për rënien e madhe të bursës në Wall Street, duke pretenduar se përgjegjës për këtë janë votuesit që mbështetën kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e mesmandatit.

Në një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, Trumpi tha se rezultatet zgjedhore kanë shkaktuar një nga ditët më të këqija në historinë e tregut të aksioneve.
“Bursa përjetoi një nga ditët më të këqija në histori për shkak të rezultateve të zgjedhjeve. Sa e trishtueshme është ta shohësh këtë! Fondet tuaja pensionale kanë rënë si pasojë. Mbani mend, nuk ishin republikanët, por demokratët”, shkroi ai.
Në një postim tjetër, Trumpi tha se rënia e bursës erdhi si pasojë e fitores së madhe të demokratëve.
“Është shumë e trishtueshme ta shohësh këtë. Keni vetëm veten për të fajësuar”, deklaroi presidenti amerikan.
Vetëm një ditë më parë, Trumpi ishte mburrur në të njëjtin rrjet social se tregu i aksioneve kishte arritur një rekord të ri.
Të enjten, indeksi Dow Jones ra për 1.833 pikë, apo 3,44 për qind. Ndërkohë, Nasdaq shënoi ditën më të keqe që nga prilli i vitit 2025, duke u mbyllur me rënie prej 5,52 për qind.
Edhe indeksi S&P 500 pësoi rënie prej 4,36 për qind, duke zbritur në 7.353,73 pikë.
Rënia e së enjtes fshiu të gjitha fitimet e një dite më parë, kur Dow Jones ishte rritur për 1.570 pikë, apo tre për qind.
Humbjet më të mëdha u regjistruan te kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e çipave. Aksionet e Nvidia-s humbën rreth 9,3 për qind të vlerës, ndërsa indeksi i gjysmëpërçuesve Philadelphia ra për më shumë se 12 për qind.
Rënia e tregjeve lidhet kryesisht me shqetësimet e investitorëve se fitorja e demokratëve dhe kontrolli i tyre mbi të dyja dhomat e Kongresit mund të sjellin rregullim më të rreptë të industrisë së inteligjencës artificiale dhe kufizime për ndërtimin e qendrave të të dhënave. /Telegrafi/




