Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, pagesat direkte për bujqësinë kanë shënuar rritje prej 103 për qind, duke arritur në 74.7 milionë euro në vitin 2025, krahasuar me 36.7 milionë euro në vitin 2020.
Rritje është regjistruar edhe në prodhimin dhe eksportin bujqësor. Vlera e prodhimit ka arritur në 1.19 miliardë euro, nga 779.5 milionë euro sa ishte më parë, ndërsa eksportet janë rritur nga 73.9 milionë në 186.6 milionë euro.

Në kuadër të mbështetjes për fermerët, gjatë vitit 2025 janë subvencionuar mbi 130 mijë hektarë tokë bujqësore, një rritje prej 97 për qind në krahasim me vitin 2021. Po ashtu, janë financuar 103 stalla moderne për zhvillimin e blegtorisë.
Muja ka bërë të ditur se mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë ka arritur në 51 milionë euro, ndërsa 11 milionë euro janë ndarë për 5 mijë e 655 gra fermere përmes granteve dhe subvencioneve.
Ai ka përmendur edhe kthimin e pronave të uzurpuara në pronësi shtetërore, duke pretenduar se përmes këtij procesi është shmangur një dëm financiar prej më shumë se 500 milionë eurosh.
Ministri ka vlerësuar se këto investime kanë ndikuar në zhvillimin e ekonomisë vendore dhe sigurinë ushqimore, ndërsa ka theksuar se synimi mbetet rritja e prodhimit vendor dhe forcimi i konkurrueshmërisë së sektorit të bujqësisë.
Burimi: RTKLive





