Rusia ka filluar të përdorë një version më të madh të dronit “Gerbera”, me një rreze veprimi deri në 1.200 kilometra, njoftoi të hënën, më 2 nëntor, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, duke paralajmëruar se rrezja e kësaj arme mund të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës.

Në një deklaratë, Drejtoria e Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës (HUR) publikoi gjetjet e saj pas ekzaminimit të një droni “Gerbera-2”, duke ofruar gjithashtu një model 3D dhe të dhëna për komponentët në portalin e saj “War & Sanctions” (Lufta dhe Sanksionet).
Sipas specifikimeve ruse të cituara nga HUR, ky mjet fluturues mund të mbajë një mbushje luftarake me peshë deri në 25 kilogramë.
Shembulli i ekzaminuar nga specialistët ukrainas mbante një mbushje më të vogël, prej 10 kilogramësh – një mbushje shpërthyese, fragmentuese dhe ndezëse – si dhe qese të veçanta me përzierje ndezëse.
“Bëhej fjalë pikërisht për një ‘Gerbera-2’ me mbushje luftarake, i cili u gjet në mesin e shtatorit në bregdetin polak të Detit Baltik”, deklaroi HUR, shkruajnë mediat ukrainase, përcjell Telegrafi.
Siç theksohet më tej, droni i ri ka një hapje krahësh prej 3 metrash dhe një trup me gjatësi 2,6 metra.
Depozita e tij e karburantit, me kapacitet 63 litra, është e ndarë në seksione për të ruajtur stabilitetin e mjetit gjatë manovrave.
Baza e të dhënave teknike të HUR tregon një autonomi fluturimi prej 10 orësh, një shpejtësi maksimale prej 200 kilometrash në orë dhe një shpejtësi deri në 180 kilometra në orë.
Droni përdor një motor me dy cilindra dhe dy kohë, të cilin HUR e përshkroi si, në thelb, gjysmën e motorit të dronit “Geran-2” – prodhimi i të cilit është lokalizuar nga Rusia në Alabuga.
Sipas HUR, në dronin “Gerbera-2” të ekzaminuar ishte montuar një kamerë IP e dyfishtë, e vendosur mbi rezervuarin e karburantit, me qëllim diktimin e dronëve përgjues. /Telegrafi/




