Komuna e Ferizajt ka njoftuar se të hënën është inauguruar strehimorja “Shtëpia Ime”, e cila synon të ofrojë siguri, mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, zyrtarë të Policisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilët kanë kontribuar si donatorë në rregullimin e strehimores.
Drejtoresha e strehimores, Sevdije Kasumi-Bunjaku, bëri të ditur se falë investimeve dhe rregullimit të hapësirave janë krijuar kushte më të mira për pritjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Ajo falënderoi në veçanti donatorët për mbështetjen e dhënë në përmirësimin e kushteve të kësaj qendre.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe zëvendësministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Agron Dobruna, shefi i kabinetit të kryetarit të Ferizajt, Albion Sherifi, si dhe majori Muhamet Jahiri nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës.
Përfaqësuesit institucionalë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve që përballen me dhunën. Ndërkaq, majori Jahiri shprehu gatishmërinë e Policisë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me strehimoren.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe deputeti Elmi Reçica, i cili vlerësoi rolin e qendrës në ofrimin e strehimit, mbrojtjes dhe përkrahjes profesionale për të mbijetuarat e dhunës, si dhe në procesin e rimëkëmbjes dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.
Ceremonia u përmbyll me vizitën e të pranishmëve në ambientet e strehimores, ku u prezantuan hapësirat dhe kushtet e krijuara për ofrimin e shërbimeve.
Strehimorja “Shtëpia Ime” synon të jetë një pikë mbështetjeje dhe sigurie për gratë dhe fëmijët që përballen me dhunën, duke ofruar mbrojtje dhe përkujdesje në situata të vështira. /Telegrafi/




