Trump thotë se do të shqyrtonte faljen paraprake të bashkëpunëtorëve të tij në rast se përballen me hetime

Trump thotë se do të shqyrtonte faljen paraprake të bashkëpunëtorëve të tij në rast se përballen me hetime

Trump thotë se do të shqyrtonte faljen paraprake të bashkëpunëtorëve të tij në rast se përballen me hetime

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të shqyrtonte faljen paraprake të çdo anëtari të stafit të tij në Shtëpinë e Bardhë, nëse ata përballen me ndjekje penale para përfundimit të mandatit të tij të dytë.

Sponsor 3M Express

“Do ta bëja nëse do të ishte e nevojshme, sigurisht. As që do të mendoja gjatë, thjesht do ta bëja”, ka thënë Trump, 80 vjeç, në një intervistë të zhvilluar të hënën për gazetën “New York Post”, me gazetaren Miranda Devine.

Ai iu referua gjithashtu vendimit të tij për të falur rreth 1.500 persona të përfshirë në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, të cilin e mori në ditën e parë të mandatit të dytë presidencial, transmeton Telegrafi.

Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur demokratët kanë krijuar një epërsi prej nëntë pikësh në sondazhe, para zgjedhjeve të së martës për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Ndërkohë, miratimi për punën e presidentit ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar, në 32 për qind.

Nëse demokratët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ata do të kenë mundësi të zgjerojnë hetimet ndaj presidentit, administratës së tij, familjarëve, aleatëve politikë dhe bashkëpunëtorëve në biznes.

Përmes kompetencave të Kongresit, ata mund të kërkojnë dokumente, të thërrasin dëshmitarë, të zhvillojnë marrje në pyetje nën betim, të organizojnë seanca publike dhe madje të nisin procedura për shkarkimin e presidentit apo zyrtarëve të kabinetit të tij.

Një prej personave që mund të jetë në shënjestër të hetimeve është edhe Elon Musk, njeriu më i pasur në botë. Drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla dhe një prej mbështetësve kryesorë financiarë të Trumpit ka investuar qindra miliona dollarë në mbështetje të presidentit dhe kandidatëve republikanë.

Musk, i cili drejtoi iniciativën e diskutueshme DOGE të administratës Trump, është lidhur me shkurtimin e rreth 250 mijë vendeve të punës në administratën federale, ndërsa kompanitë e tij kanë përfituar kontrata të rëndësishme qeveritare.

Gjatë intervistës, Devine e pyeti Trumpin për mundësinë e një hetimi demokrat ndaj marrëdhënieve të biznesit të Muskut me administratën amerikane.

Presidenti i hodhi poshtë kërcënimet për hetime, duke i cilësuar ato si deklarata pa bazë, por la të kuptohej se do të ndërhynte për të mbrojtur aleatët e tij nëse demokratët do t’i konkretizonin këto kërcënime.

“Kjo nuk do të ndodhë. Janë vetëm fjalë. Por, nëse mbetet vetëm në nivelin e deklaratave, do të duhet t’i mbrojmë ata”, tha Trump.

I pyetur nëse pret që demokratët të ndërmarrin veprime drejtpërdrejt kundër tij, presidenti u përgjigj se nuk ishte i sigurt. Ai gjithashtu pretendoi se çdo sukses i demokratëve në zgjedhjet e kësaj jave mund të jetë rezultat i manipulimeve, duke shtuar se “do ta shohim të martën në mbrëmje”.

Deklaratat e tij vijnë pasi, në prill, “The Wall Street Journal” raportoi se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kishin thënë se Trump e kishte përmendur vazhdimisht mundësinë e faljeve të gjera për aleatët e tij gjatë bisedave me këshilltarët më të afërt.

Sipas gazetës, presidenti u kishte thënë zyrtarëve se do të falte “këdo që ka qenë brenda 200 metrave nga Zyra Ovale”.

Në atë kohë, zëdhënësja e atëhershme e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, reagoi duke thënë se gazetarët duhej të mësonin ta kuptonin një shaka, por theksoi se kompetenca e presidentit për të dhënë falje është absolute.

Në intervistën e së hënës, Trump përmendi edhe paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden, i cili, sipas tij, kishte ndërmarrë një veprim të ngjashëm para largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2025.

Në orët e fundit të presidencës së tij, Biden kishte dhënë falje për figura të larta të administratës, përfshirë gjeneralin Mark Milley dhe doktorin Anthony Fauci, si dhe për hetuesit e komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve që shqyrtoi sulmin e 6 janarit. Ai kishte falur gjithashtu disa familjarë të tij, përfshirë djalin Hunter Biden.

“Kështu bëri edhe Biden. Ai i fali të gjithë”, ka thënë Trump. /Telegrafi/

Lexo edhe

Ebola shkakton mbi 5.300 viktima në shpërthimin që po përhapet me ritmin më të shpejtë të regjistruar

Ebola shkakton mbi 5.300 viktima në shpërthimin që po përhapet me ritmin më të shpejtë të regjistruar

Zjarrfikësit në Prizren përfitojnë transport urban falas, Totaj shpërndan kartelat

Zjarrfikësit në Prizren përfitojnë transport urban falas, Totaj shpërndan kartelat

Presidentja Shiroka Pula takohet me shefin e OSBE-së në Kosovë, diskutojnë forcimin e bashkëpunimit

Presidentja Shiroka Pula takohet me shefin e OSBE-së në Kosovë, diskutojnë forcimin e bashkëpunimit