Një pjesëtar i lartë i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është arrestuar në Britani të Madhe, nën dyshimin se ka ndihmuar inteligjencën ruse.

Sipas policisë britanike, 41-vjeçari është arrestuar të martën pranë qytetit Gloucester, në perëndim të Anglisë, dhe aktualisht po mbahet në një stacion policor në Londër, raporton Reuters, përcjell Insajderi.
Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, si dhe ndihmën ndaj një shërbimi të huaj të inteligjencës. Hetimi zhvillohet në bazë të dy neneve të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023.
Policia ka konfirmuar se pretendimet për të cilat po hetohet kanë të bëjnë me Rusinë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur kontrolle në dy lokacione në qarkun Gloucestershire.
Në hetim janë përfshirë njësitë britanike kundër terrorizmit, autoritetet amerikane, ushtria amerikane dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e ka cilësuar arrestimin si çështje me rëndësi të veçantë për sigurinë amerikane dhe aleatët e saj.
“Ky arrestim i rëndësishëm përfshin pretendime për spiunazh, gjë që është një shqetësim i jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë”, ka deklaruar Patel.
Ndërkaq, gjeneral brigade Sean Stinchon, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, ka thënë se rasti është një kujtesë se kërcënimet mund të vijnë edhe nga brenda institucioneve që kanë qasje në informacione të ndjeshme.
“Veprimet e pretenduara të një ushtari të lartë, të cilit i janë besuar informacione sensitive, janë një kujtesë shqetësuese se kërcënimet e brendshme janë reale dhe të vazhdueshme”, ka deklaruar ai.
Hetimet po udhëhiqen nga njësia kundër terrorizmit në Londër dhe vazhdojnë. Policia britanike ka bërë të ditur se ky rast nuk lidhet me hetime të tjera aktuale të njësive kundër terrorizmit. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi




