Ismajl Fejzullahu është larguar nga pozita e komandantit të Njësisë për Kontroll të Autostradave, pas aksidentit të ndodhur gjatë garave ilegale me vetura në Trudë të Prishtinës.

Sipas raportimeve në media, Fejzullahu është transferuar në administratë në Stacionin Policor në Gjilan, pas rastit që nxiti reagime në publik.
Aksidenti ndodhi gjatë një gare ilegale, ku dy vetura u përplasën mes vete. Pamjet e përplasjes u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime për rrezikun që paraqesin garat e tilla në rrugë publike.
Aksidenti u raportua më 8 nëntor në segmentin e autostradës Mazgit–Trudë. Fillimisht, Policia kishte njoftuar se bëhej fjalë për një vetaksident, por pas analizimit të pamjeve filmike arriti t’i identifikonte të dy drejtuesit e automjeteve të përfshira.
Të dy shoferët janë paraqitur në polici dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Njëri prej tyre kishte pësuar lëndime të lehta, ndërsa Policia i ka konfiskuar të dy veturat për nevoja të hetimit. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi




