Gjatë javës së Black Friday, shumë tregtarë në Zvicër përpiqen të tërheqin konsumatorët me oferta dhe zbritje të mëdha. Megjithatë, jo çdo ofertë paraqet një kursim të vërtetë dhe jo të gjithë shitësit respektojnë kërkesat ligjore.

Për të mbrojtur konsumatorët nga praktikat mashtruese dhe manipulimi me çmimet, legjislacioni zviceran përcakton rregulla të qarta për reklamimin e zbritjeve.
Çfarë thotë ligji?
Çmimi përfundimtar që konsumatori duhet të paguajë në franga zvicerane duhet të jetë gjithmonë i dukshëm, ndërsa konsumatorëve duhet t’u mundësohet krahasimi i lehtë i çmimeve.
Sipas Lex4you, reklamimi i zbritjeve lejohet vetëm në kushte të caktuara, raporton Watson.
Paraqitja e çmimeve të mëparshme që në realitet nuk kanë ekzistuar është e paligjshme. Tregtarët nuk lejohen të reklamojnë çmime apo zbritje fiktive për t’i nxitur konsumatorët të blejnë produkte.
Sipas nenit 16 të Rregullores për paraqitjen e çmimeve, tregtarët mund të reklamojnë zbritje duke krahasuar çmimin aktual me çmimin e mëparshëm, me një çmim të ardhshëm ose me çmimet e konkurrentëve, nëse plotësohen kushtet ligjore.
Për shembull, nëse një palë atlete ofrohet për 30 franga në vend të 70 frangave, tregtari mund ta reklamojë këtë zbritje nëse produkti është ofruar më parë me çmimin prej 70 frangash, duke respektuar afatet ligjore.
Gjithashtu, ky çmim mund të përdoret për krahasim nëse shumica e tregtarëve të tjerë e ofrojnë të njëjtin produkt për 70 franga.
Ndryshimi i rregullave në vitin 2024
Në vitin 2024, Këshilli Federal miratoi ndryshime që mundësojnë përdorimin pa kufizim kohor të çmimit krahasues për uljet pasuese, nëse plotësohen kushtet përkatëse.
Ky vendim shkaktoi reagime nga organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve, të cilat paralajmëruan se ndryshimet mund të krijojnë hapësirë për manipulime.
Sara Stalder nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve kishte paralajmëruar se tregtarët mund të vendosin çmime të larta për një periudhë të shkurtër dhe më pas ta reklamojnë çmimin e zakonshëm si ofertë speciale për një kohë të pakufizuar.
Megjithatë, nëse çmimi fillestar ka qenë në fuqi për më pak se 30 ditë, vazhdojnë të zbatohen rregullat e mëparshme.
Sipas tyre, zbritja mund të reklamohet për një periudhë sa gjysma e kohës gjatë së cilës ka qenë në fuqi çmimi fillestar, por jo më gjatë se dy muaj.
Gjobat mund të arrijnë deri në 20 mijë franga
Edhe premtimet reklamuese për “çmimin më të mirë” apo “çmimin më të ulët” duhet të jenë të vërteta.
Sipas Gjykatës Federale të Zvicrës, nëse tregtarët nuk i përmbushin këto premtime, mund të konsiderohet se kanë shkelur ligjin kundër konkurrencës së pandershme, shkruan Beobachter.
Shkeljet mund të ndëshkohen me gjoba deri në 20 mijë franga zvicerane.
Çfarë ndodh me zbritjet e përjetshme?
Operatorët e telefonisë mobile, në veçanti, shpesh reklamojnë abonime me çmime apo zbritje të përjetshme.
Megjithatë, konsumatorët duhet të bëjnë dallimin ndërmjet një çmimi të përjetshëm dhe një zbritjeje të përjetshme, transmeton Telegrafi.
Sipas organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve, nëse një çmim i përjetshëm është pjesë e marrëveshjes kontraktuale, ai ka përparësi ndaj kushteve të përgjithshme të kontratës. Megjithatë, kontrata mund të ndërpritet nga secila palë, duke respektuar kushtet përkatëse.
Në rastin e një zbritjeje të përjetshme, vetëm zbritja mbetet e pandryshuar dhe jo domosdoshmërisht çmimi bazë. Nëse operatori rrit çmimin bazë të abonimit, edhe shuma përfundimtare që paguan konsumatori mund të rritet.
Çfarë mund të bëjnë konsumatorët?
Konsumatorët që dyshojnë se janë përballur me oferta mashtruese mund të bëjnë kallëzim penal ose t’i raportojnë praktikat e pandershme tregtare në Sekretariatin Shtetëror për Çështje Ekonomike të Zvicrës (SECO).
Megjithatë, një raportim i tillë nuk garanton automatikisht që konsumatori do të kompensohet për diferencën e çmimit.
Për këtë arsye, konsumatorët këshillohen që para blerjeve gjatë Black Friday të krahasojnë çmimet te disa tregtarë dhe të mos bazohen vetëm në përqindjen e reklamuar të zbritjes./Telegrafi/





