Vendet e Bashkimit Evropian humbin rreth 60 miliardë euro të ardhura tatimore çdo vit, si pasojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë shumëkombëshe drejt parajsave fiskale, ku normat e tatimit janë më të ulëta.

Sipas një analize të organizatës “Tax Justice Network”, korporatat e mëdha përdorin juridiksione me tatime të favorshme për të deklaruar fitimet, në vend të shteteve ku zhvillojnë realisht aktivitetin e tyre ekonomik.
Humbjet më të mëdha i pësojnë Franca dhe Gjermania. Franca humb rreth 13.1 miliardë euro në vit, ndërsa Gjermania 11.8 miliardë euro. Së bashku, këto dy shtete përbëjnë 42 për qind të humbjeve të përgjithshme të BE-së.
Në mesin e vendeve të tjera të prekura janë Spanja, me 4.8 miliardë euro humbje në vit, Polonia me 4.7 miliardë dhe Belgjika me 4.1 miliardë euro. Italia humb rreth 3.6 miliardë euro, ndërsa Holanda 3.5 miliardë euro.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre humbjeve lidhet me territoret britanike që shërbejnë si parajsa fiskale. Sipas analizës, rreth tetë miliardë euro nga humbjet e vendeve të BE-së lidhen me këtë rrjet, ku përfshihen Ishujt e Virgjër Britanikë, Ishujt Kajman dhe Bermudet.
Transferimi i fitimeve ndodh kur kompanitë deklarojnë të ardhurat në vende me tatime më të ulëta, duke zvogëluar fitimin mbi të cilin duhet të paguajnë tatime në shtetet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), shumica e këtyre praktikave nuk janë të paligjshme, por ato dëmtojnë sistemet tatimore dhe ulin të ardhurat e buxheteve shtetërore.
Humbje të mëdha nga këto praktika pëson edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila vlerësohet se humb rreth 14.7 miliardë euro në vit.
Në nivel global, dëmi është edhe më i madh. Kur përfshihen edhe pasuritë e padeklaruara të individëve të pasur në llogari jashtë vendit, humbjet nga abuzimet tatimore vlerësohen në rreth 416 miliardë euro në vit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




