Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës në Kosovë për ditën e sotme.
Sipas çmimeve të përcaktuara nga ministria, një litër naftë do të shitet me çmim maksimal prej 1.79 euro, një cent më shtrenjtë se dje, kur çmimi ishte 1.78 euro.
Ndërkohë, benzina do të shitet me 1.52 euro për litër, dy centë më shtrenjtë se një ditë më parë, kur çmimi ishte 1.49 euro.
Gazi, ndërkaq, do të shitet me të njëjtin çmim si dje, 0.62 euro për litër.
Ndryshe, çmimi më i lartë i naftës në Kosovë që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme u regjistrua më 9 prill, kur një litër arriti në 1.91 euro.
Pas armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kishin shënuar rënie.
Megjithatë, tensionet e reja dhe rikthimi i sulmeve, së bashku me mbylljen e sërishme të Ngushticës së Hormuzit, kanë rritur pasigurinë në tregun global të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret kryesore për transportin detar të naftës në botë, ndaj çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet ndërkombëtare të energjisë./teve1.info/

