Kori Siparantum ka përfunduar paraqitjen e parë në kuadër të Malaysian Choral Festival 2026 (MCE), duke garuar në kategorinë B4 – Vocal Ensemble.
Në këtë paraqitje, kori nga Kosova solli në skenë një performancë të ngarkuar me energji, duke përcjellë përmes muzikës elemente të kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar.
Në programin e prezantuar u interpretuan veprat “PAX” të Memli Kelmendit dhe “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” të Baki Jasharit. Në këtë paraqitje morën pjesë edhe tenori Rizah Jahaj, dirigjenti Memli Kelmendi dhe recitatori Shaban Behramaj.
Siparantum ka bërë të ditur se garat do të vazhdojnë të shtunën, më 22 gusht, në kategorinë A5 – Mixed Choir.
Paraqitja e radhës do të mbahet në Pentas 1, në The Kuala Lumpur Performing Arts Centre (klpac), në Kuala Lumpur.
Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar përfaqëson një tjetër mundësi për Korin Siparantum që përmes artit koral të prezantojë muzikën dhe kulturën e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

