Shpinën ia ruanin pesë persona.
Ata u pozicionuan në katër anët e hollit të Kuvendit.
E në njërën anë, pozicione morën disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Veshja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pësoi ndryshime nga ajo që pati në seancën konstituive.
Me pantollona nga njollat e vezëve, Kurti doli para mediave disa minuta pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës.
“Nuk propozuam një emër për kryetar Kuvendi, ndonëse i kemi votat për një gjë të tillë. Meqenëse çfarëdo konsitutimi i Kuvendit pa një marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin e Republikës, pashmangshëm do të na shpiente në zgjedhje të reja”, tha Kurti.
Vendimin për vazhdimin e radhës të seancës konstituive, ai ia la në dorë kryesuesit të Kuvendit.
Por, pati një koment edhe mbi aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuse që flasin mbi seancën konstituive
“Të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë koherencë të plotë, nuk kanë konstitencë juridike. Por, ato janë aty. Interpretimet i bën Gjykata, vendimet në formë të aktvendimeve i bën Gjykata. Kryesuesi i seancës e ka thirrur vazhdimin e seancës dhe unë i jam përgjigjur. Kur të na thërrasë herën e ardhshme, unë poashtu do të përgjigjem”, deklaroi Albin Kurti.
Deri në seancën e radhës, ai e përsëriti thirrjen ndaj krerëve të partive opozitare për takim.
Ndërsa për Lidhjen Demokratike dhe kërkesën që presidenti të propozohet nga ta, Kurti pati një shpjegim.
“Sikur rezultati zgjedhor për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të ishte një rezultat i para dy viteve, atëherë njeriu do të mund të thotë se situata ka ndryshuar dhe zgjedhjet e radhës janë më afër se ato të shkuarat. Por, është rezultat i para dy muajve. Nuk mund ta apstrahojmë, as deformojmë rezultatin e para dy muajve. Por, ajo që është jetike tash, jo vetëm LDK, por edhe PDK dhe Aleanca, si përfaqësues të popullit në përgjithësi dhe të votuesve të tyre në veçanti, duhet të dialogojnë me fituesin e zgjedhjeve, me kryeministrin në detyrë”, vlerësoi Kurti.
Kurti ripotencoi se presidenti duhet të jetë një figurë jashtë skenës aktuale politike.
“Presidenti duhet të jetë mbipartiak , jashtë polemikave ditore, jo në këtë skenën aktuale politike, por një personalitet me karakter të dëshmuar, me vlera e merita profesionale e kombëtare”, tha Kurti.
Deri më tani, nuk ka asnjë emër që është përmendur nga kjo parti si figurë potenciale për të marrë postin e presidentit.

