Janë vetëm disa nga titujt që qytetarët e Kosovës po përballen shpesh kohëve të fundit.
E në fund, të gjitha këto alarme po rezultojnë të jenë të rreme.
I njëjti rast ndodhi edhe të enjten, kur rreth orës 16:30, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë u dha alarm për mjete shpërthyese.
Ani pse deri më tani këto alarme po rezultojnë të rreme, sipas njohësit të sigurisë, Shkelzen Sopjani nuk duhet të neglizhohen.
“Në bazë të ligjit, në bazë të protokoleve dhe rregulloreve të brendshme të policisë dhe strukturave të tjera këto alarme në asnjë rrethanë nuk guxojnë të neglizhohen. Pra është e pamundur që të neglizhohet një alarm i tillë dhe të thuhet hajt se ka ndodh që deri sot nuk kanë dalë të vërteta dhe të mos reagojmë sepse vetëm një herë mundet me ndodh dhe mundet me ndodh që me hup jetë të njerëzve”, shprehet ai.
Këto alarme për mjete shpërthyese, sipas Sopjanit, po vijnë nga jashtë territorit të Kosovës.
“Këto alarme vinë nga jashtë Kosovës, nga vendet me theks të veçantë, vende armike të Republikës së Kosovës. Botërisht dihet se cilat vende janë ato që nuk e dojnë dhe nuk dojnë me pa siguri në vendin e Kosovës dhe bëhen thjesht për qëllime të hutimit dhe të çorientimit të punës së përditshme të strukturave të sigurisë së Kosovës”, vlerëson ai.
E alarme të tilla, pritet të ketë edhe në të ardhmen.
“Sipas vlerësimit tim do të kemi ende alarme. Ndoshta mënyra e reagimit duhet të rishikohet, të rishikohet forma e reagimit, por nuk do të duhej të neglizhoheshin në asnjë rrethanë sepse mund të ndodh një rast të vetëm që të del i vërtetë dhe atëherë do të konsiderohej si dështim i strukturave të sigurisë së Kosovës”, thotë Sopiani.
Në lidhje me këtë çështje, televizioni ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dhëna rreth numrit të raportimeve për alarme të rreme gjatë këtij viti, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.

