Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka deklaruar se grupi parlamentar i LVV-së do të votojë një kandidat të Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit, si dhe një kandidat të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, Nagavci ka bërë të qartë se LVV nuk do ta votojë Vlora Çitakun për këtë pozitë.
“LVV do të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar dhe natyrisht do të votojë edhe një kandidat të LDK-së, por nuk mund të votojmë Çitakun”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se LVV nuk dëshiron të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit në një situatë ku, sipas saj, mund të përdoren 53 votat për të mbështetur një kandidat që ka synim dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
“LVV e voton një deputet nga radhët e PDK-së. Se cili është ai deputet, duhet të vazhdojë PDK-ja me propozime ose marrëveshje. Proceduralisht, PDK-ja duhet të propozojë edhe njëherë një nënkryetar, këdo që ata e vlerësojnë”, është shprehur Nagavci./teve1.info/

