Analisti politik, Agon Maliqi, tha se po bëhen manovra që “lideri”, duke iu referuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të zgjedhë elektoratin që ai e dëshiron, duke e shtyrë kohën me institucione të përkohshme dhe pa Kuvend.
Ai thotë se synimi është që të zgjatet koha deri kur iu përfundon mandati gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që vendi të mbesë edhe pa këtë mekanizëm mbikëqyrës.
“Në çdo demokraci elektorati e zgjedh liderin, vetëm te ne lideri bën manovra që ta zgjedhë elektoratin. Meqë nuk është i kënaqur me këtë popullin e qershorit, gjithqysh do me e pritë prapë atë popullin tjetër të dhjetorit. Kështu me institucione të përkohshme dhe pa kuvend ka me shku kjo punë deri në skadimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese verës tjetër, në mënyrë që me e paralizu edhe këtë mekanizëm mbikëqyrës. Ndryshe nuk krijohet Republika e Tretë”.
Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua as në vazhdimin e seancave të mbajtura jashtë afatit kushtetues që kur ai skadoi më 7 gusht.
Pas zgjedhjes së Albulena Haxhiu kryetare, çështja ngeci te nënkryetarët.
Lëvizja Vetëvendosje sot refuzoi të votojë për të propozuarën e PDK’së, Vlora Çitaku, përkundër që partia e saj votoi pro të propozuarit të VV’së, Ardian Gola.
Pas kësaj, PDK lëshoi sallën dhe tha se çështjen do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.
Ndërkohë, Vetëvendosje është pozicionuar edhe kundër të propozuarit të LDK’së, Kujtim Shala. Deputetët e LDK’së votuan pro si për Golën si për Çitakun, por refuzuan që të procedojnë me të propozuarin e tyre pa u përfunduar zgjedhja e nënkryetarit të grupit të dytë parlamentar, duke kërkuar që të respektohet procedura./Express/
The post Maliqi: Kështu ka me shku kjo punë deri në paralizimin e Gjykatës Kushtetuese, ndryshe s’krijohet Republika e Tretë appeared first on Gazeta Express.

