Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe zhvillimeve lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve.
Përmes një reagimi, Bajrami ka thënë se situata e krijuar në Kuvend e bën të domosdoshme, sipas saj, ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e rendit kushtetues.
Ajo ka paralajmëruar se një nga çështjet e para që, sipas saj, duhet të trajtohet në Kuvend është nisma e Institutit të Kosovës për Drejtësi për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.
“Është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet. Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar ashpër situatën politike, duke thënë se shteti nuk është ndërtuar për t’u rrënuar nga ata që vijnë në pushtet me premtime politike.
“Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami.

