Shiritin ceremonial e ndanë në katër pjesë.
E secila iu dhurua atyre që kontribuuan në luftën e fundit në Kosovë.
Pas kësaj, nisën edhe urimet e para.
Në këtë formë, Prishtina për herë të parë u bë me dyqan për uniformat e veteranëve të luftës.
Këto të fundit, tashmë ishin ekspozuar në pritje të blerësve të rinj.
E gjitha kjo me iniciativën e Ferid Berishës, i njohur si komandant Shkupi.
“Nevoja për me pas një vend ku njerëzit orientohen më lehtë deri tek blerja. Por, qëllimi i dytë dhe më kryesor është që me qenë diku në qendër të Prishtinës e dukshme uniforma edhe për qytetarët e tjerë, kryesisht rinia me pa uniformën për arsye të historisë, kuptohet që e kemi të lavdishme të UÇK-së”, shprehet Ferid Berisha – komandant “Shkupi”
Ish-komandanti i njësitit special “Tigrat e Zi” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për Tëvë1, tregon se kush mund ta blejë uniformën e veteranit.
“Të gjithë munden me e pas, me e ble, mirëpo në bazë të ligjit të uniformave në përgjithësi që janë të policisë, të ushtrisë, të mjekëve, zjarrfikësve. Asnjë person jozyrtar për këtë uniformë nuk ka drejt me e bartë. Kështu që deri më tani një numër mjaft i madh që ka dalë në treg dhe është blerë, për mu kënaqësia më e madhe, më e veçanta ka qenë se deri tani 95% të uniformave janë blerë për dhuratë dhe janë dhuru veteranëve”, thotë Berisha.
E ky hap i Berishës, u vlerësua lart nga komandantët me të njohur të UCK-së.
“E përgëzoj komandant Shkupin për iniciativën që e ka marrë dhe mundin që e ka bërë për qepjen dhe dizajnimin e uniformës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe punën që e ka bërë deri më sot”,shprehet ish-koloneli i UÇK-së, Binak Gashi.
E interesimi për të parë nga afër këtë uniformë, ishte i menjëhershëm.
“ Është vend shumë i mirë, vend shumë i qëlluar. Unë uroj që uniforma e veteranëve të luftës të mos keqpërdoret dhe të vishet aty ku e ka vendin dhe jo të vishet vend e pavend”, thotë Shaban Kurtolli–veteran.
Por jo të gjithë në ceremoninë hapëse ishin ish-ushtarak.
I pranishëm këtu, ishte edhe ai që dikur e xhiroi videon më të njohur të UÇK-së gjatë luftës.
“Vlerësoj që është shumë me rëndësi që kjo uniform të vlerësohet të mbarë populli ynë shqiptar se liria e Kosovës është bërë me shumë sakrifica, me shumë gjak dhe duhet të ketë përkrahje më të madhe të gjitha shteteve e populli, sidomos nga rinia jonë. Vlerësoj se efekti i kësaj uniforme do të vërehet sa ma shumë”, thotë Nuhi Bytyqi , ish-reporter i luftës.
Ndryshe, lokali i vetëm ku zyrtarisht mund ta blihet uniforma e veteranit, ndodhet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

