Një krim i rëndë ka ndodhur të premten në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe kunatin, ndërsa plagosi rëndë një familjar tjetër të saj.
Siç raportoi Sinjali, i dyshuari kryesor për këtë rast është Valon Ramushi, i cili, sipas Prokurorisë, dyshohet se përdori një pistoletë të tipit “Bereta”, me leje të skaduar, për të kryer vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafije Bogujevci, dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevci.

Nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë edhe Mazllum Bogujevci, 48-vjeçar, djali i xhaxhait të bashkëshortes së të dyshuarit, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike dhe gjendja e të cilit u raportua e rëndë, por stabile.
Pas ngjarjes, vetura e të dyshuarit ishte larguar nga vendi i ngjarjes, çka bëri që Policia të aktivizonte operacionin “Unaza e Çeliktë” për lokalizimin e tij.
Sinjali raportoi se Policia pranoi informatën për të shtëna rreth orës 14:26, ndërsa rreth 16 minuta më vonë, në orën 14:42, Ramushi u vetëdorëzua në Stacionin Policor.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ishte raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje.
Kontrollet janë kryer edhe në tri lokacione të pronave të të dyshuarit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Vrau gruan dhe vëllain e saj, plagosi rëndë një tjetër – Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e dyfishtë në Gjilan appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali



