Tre persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë janë plagosur në sulmet ndaj dy aeroporteve në Arabinë Saudite, ndërsa luftimet mes rebelëve Houthi dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Riadit janë përshkallëzuar në Jemen.

Një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad, ndërsa në Aeroportin e Abhës humbën jetën dy persona dhe u plagosën 28 të tjerë. Sulmet ndodhën të martën dhe të mërkurën, ndërsa autoritetet saudite nuk specifikuan se cili incident ndodhi në cilën ditë.
Houthit, të lidhur me Iranin, kanë marrë përgjegjësinë për sulmet, të cilat dyshohet se u kryen me raketa dhe dronë. Në përgjigje, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite është zotuar për hakmarrje, duke thënë se sulmet “nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”.
Më vonë, koalicioni njoftoi se kishte goditur më shumë se 80 objektiva ushtarake të Houthive në provincat Saada, Hodeidah, Jawf dhe Marib.
Ndërkohë, Houthit sulmuan edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Adenit me raketa dhe dronë të mbushur me eksploziv. Një raketë ra pranë pistës pak para uljes së një fluturimi nga Kajroja, i cili u devijua drejt Xhedës.
Përshkallëzimi i luftimeve vjen në një kohë kur forcat Houthi dhe ato qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite po përballen për kontrollin e zonave strategjike në Jemen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Sulme me raketa e dronë ndaj aeroporteve saudite, 3 të vrarë dhe 36 të plagosur appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




