Republika Sërpska pagoi mbi 4 milionë dollarë për lobistë të lidhur me Trumpin që nga viti 2025

Republika Sërpska pagoi mbi 4 milionë dollarë për lobistë të lidhur me Trumpin që nga viti 2025

Republika Sërpska pagoi mbi 4 milionë dollarë për lobistë të lidhur me Trumpin që nga viti 2025

Qeveria e Republikës Sërpska ka paguar më shumë se 4 milionë dollarë për lobistë dhe operativë politikë të lidhur me presidentin amerikan Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë, që nga fillimi i vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të dorëzuara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, këto pagesa janë bërë në kuadër të përpjekjeve të Republikës Srpska për të ndërtuar ndikim politik në Shtetet e Bashkuara dhe për të fituar mbështetje për qeverinë e saj.

Sponsor 3M Express

Republika Sërpska është një nga dy entitetet përbërëse të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ajo drejtohet nga forca nacionaliste serbe dhe ka mbajtur qëndrime të afërta me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.

Në prag të zgjedhjeve të zhvilluara të dielën, dy këshilltarë të rëndësishëm politikë të Trumpit, James Blair dhe Chris LaCivita, udhëtuan drejt Republikës Srpska. Të dy janë të angazhuar në fushatën politike të Trumpit në SHBA dhe, sipas personave të njohur me udhëtimin, kanë punuar për qeverinë e Republikës Srpska përmes një firme ligjore me bazë në Uashington.

Sipas dy burimeve të cituara nga New York Times, Blair dhe LaCivita janë paguar me qindra mijëra dollarë secili për punën që lidhej me çështjet zgjedhore. Burimet thanë se angazhimi ishte për qeverinë e Republikës Srpska dhe jo drejtpërdrejt për partinë nacionaliste që e kontrollon atë, edhe pse në praktikë qeveria dhe partia janë të lidhura ngushtë.

Blair ka qenë drejtor politik i fushatës së Trumpit në vitin 2024, ndërsa LaCivita ishte bashkëdrejtues i asaj fushate. Aktualisht, Blair drejton MAGA Inc., super-PAC-un e mbështetur nga Trumpi, ndërsa LaCivita është këshilltar i lartë i tij.

Sipas të dhënave të cituara në raportim, ata nuk janë të vetmit persona me lidhje me Trumpin që janë paguar nga Republika Sërpska. Që nga fillimi i vitit të kaluar, qeveria e këtij entiteti ka shpenzuar mbi 4 milionë dollarë për lobistë dhe operativë të lidhur me Trumpin dhe aleatët e tij republikanë.

Në mesin e tyre është edhe ish-guvernatori i Illinoisit, Rod Blagojevich, familja e të cilit është me origjinë serbe. Firma e tij ka marrë 1.325 milionë dollarë nga Republika Srpska që nga marsi i vitit të kaluar, sipas të dhënave të lobimit.

Një tjetër lobist, Alex Garcia, firma e të cilit u regjistrua në shkurt për të përfaqësuar Republikën Srpska në SHBA, ka një kontratë prej 35 mijë dollarësh në muaj. Garcia kishte punuar në fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024 nën drejtimin e Blair.

Kjo fushatë lobimi duket se ka sjellë edhe rezultate politike për udhëheqjen e Republikës Srpska. Në fund të vitit të kaluar, administrata Trump hoqi sanksionet ndaj Milorad Dodikut, familjes së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Dodik, i cili deri vonë ishte president i Republikës Sërpska, ka qenë prej vitesh në konflikt me politikën amerikane dhe ndërkombëtare për shkak të qëndrimeve të tij ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në fjalimin e fitores pas zgjedhjeve të së dielës, Dodik falënderoi presidentin rus Vladimir Putin për mbështetjen dhe e lidhi fitoren e Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024 me krijimin e një klime më të favorshme politike për të.

Qeveria e Republikës Sërpska nuk iu përgjigj kërkesave nga New York Times për koment lidhur me pagesat dhe angazhimin e këtyre lobistëve.

Shkuan ta ndihmojnë Dodikun në zgjedhjet e Bosnjës, Trump distancohet nga dy këshilltarët e tij

 

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Gazetari kroat vë në pah tolerancën në Kosovë: Një katolike u zgjodh Presidente në vendin me 93.5% myslimanë

Gazetari kroat vë në pah tolerancën në Kosovë: Një katolike u zgjodh Presidente në vendin me 93.5% myslimanë

Sindikata e minatorëve: Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar!

Sindikata e minatorëve: Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar!

Gjenden një kallashnikov dhe veshje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq

Gjenden një kallashnikov dhe veshje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq