Punëtorët e NPB-së pa paga për gati tre muaj – reagon Rama

Punëtorët e NPB-së pa paga për gati tre muaj – reagon Rama

Punëtorët e NPB-së pa paga për gati tre muaj – reagon Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që me prioritet ta shqyrtojë rastin e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), duke thënë se si pasojë e këtij procesi, sipas tij, 350 familje kanë mbetur pa paga.

Sponsor 3M Express

Rama këtë deklaratë e bëri pas një vizite në NPB, ku tha se është takuar me menaxhmentin e ndërmarrjes për të shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e pagave të punëtorëve.

Ai pretendoi se situata është pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij dhe e cilësoi atë si të paligjshëm.

“Këtë çështje e kam adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes tonë, sepse kam parë se vendimi dhe procesi janë të paligjshëm dhe e rrezikojnë ndërmarrjen, siç edhe ndodhi”, ka shkruar Rama në Facebook, raporton Telegrafi.

Kryetari i Prishtinës tha se gjatë mandatit të tij ka insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike.

“Gjatë gjithë këtyre viteve kam insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike. Insistoj edhe SOT”, ka deklaruar ai.

Rama i ka bërë thirrje Gjykatës Supreme që ta trajtojë rastin me prioritet, duke theksuar pasojat që, sipas tij, po i bartin punëtorët e NPB-së.

“Prandaj, kërkoj nga Gjykata Supreme që ta shqyrtojë këtë çështje me prioritet, sepse 350 familje kanë mbetur pa paga dhe po dëmtohen nga një proces i nisur në qeverisjen e kaluar”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, punëtorët e NPB-së kanë deklaruar se kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së, Valdet Sulejmani, ka thënë në emisionin “Pasdite” në RTK se gjendja e punëtorëve është rënduar ndjeshëm dhe se deri tani nuk kanë marrë një përgjigje konkrete për zgjidhjen e situatës.

Sipas tij, bllokimi i llogarisë është rezultat i një vendimi gjyqësor, ndërsa punëtorët kërkojnë që gjykata të marrë një vendim përfundimtar lidhur me çështjen.

“Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore janë në siklet shumë të madh, shkaku që pagat nuk i kemi marrë afro, po hyjmë për muajin e tretë. Dhe është një kosto e madhe. Kemi njerëz që janë në kredi bankare. Faturat e energjisë elektrike nuk na presin neve tre muaj. Nuk na presin qiratë tre muaj”, tha Sulejmani.

Ai theksoi se, pavarësisht mungesës së pagave, shërbimet e NPB-së për qytetarët e Prishtinës vazhdojnë.

“Asnjë shërbim ende nuk ka ngecje, të gjitha shërbimet jemi duke i kryer për qytetarët e Prishtinës dhe do të mundohemi deri në fund që ne të vazhdojmë me këto shërbime”, tha ai.

Sulejmani bëri të ditur se punëtorët kanë paralajmëruar protestë të hënën pranë gjykatës, me kërkesën që institucioni të trajtojë situatën dhe t’u japë informacion për ecurinë e çështjes.

“Janë 380 punëtorë”, tha Sulejmani, duke shtuar se mungesa e pagave po rëndon drejtpërdrejt mbi familjet e tyre.

Ai tha se punëtorët kanë arritur ta përballojnë muajin e parë përmes huazimeve, por situata është bërë gjithnjë e më e vështirë pasi nuk kanë një afat të qartë se kur do t’i marrin pagat.

Sipas Sulejmanit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndërmarrë veprimet që i ka lejuar ligji dhe ka bërë ankesat përkatëse, ndërsa punëtorët tani presin një përgjigje nga gjykata.

Sulejmani vlerësoi edhe angazhimin e kryeshefit ekzekutiv të NPB-së, Artan Berisha, për të cilin tha se ka komunikuar me institucionet përkatëse dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zgjidhjen e situatës.

Megjithatë, sipas tij, deri tani nuk ka ardhur ndonjë përgjigje konkrete nga gjykata.

“Po shohim që asnjë përgjigje, asnjë kurrgjë nuk kemi nga gjykata”, deklaroi Sulejmani.

Në fund, Rama ka thënë se Komuna nuk e ka krijuar problemin, por se ka ndërmarrë veprime për ta ndalur atë.

“Ne nuk e kemi krijuar këtë problem. Kemi vepruar për ta ndalur. Tani kërkojmë vendim, mbrojtje të ndërmarrjes dhe llogaridhënie”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/

Lexo edhe

KRU “Mitrovica” paralajmëron intervenime në disa zona, mund të ketë ndërprerje të ujit

KRU “Mitrovica” paralajmëron intervenime në disa zona, mund të ketë ndërprerje të ujit

Lionel Messi merr një ofertë të papritur për një garë në të cilën nuk ka luajtur asnjëherë

Lionel Messi merr një ofertë të papritur për një garë në të cilën nuk ka luajtur asnjëherë

Konsumimi i këtyre ushqimeve mund ta vështirësojë humbjen e dhjamit në bark – zgjidhni alternativa më të shëndetshme

Konsumimi i këtyre ushqimeve mund ta vështirësojë humbjen e dhjamit në bark – zgjidhni alternativa më të shëndetshme

Punëtorët e NPB-së pa paga për gati tre muaj – reagon Rama | Momenti