Një fotografi e rrallë nga ditët e para të hyrjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në qershor të vitit 1999, është publikuar nga baza e Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe, RAF Odiham.

Fotografia paraqet helikopterët britanikë të tipit “Chinook”, të cilët sollën përforcime për trupat britanike gjatë avancimit të tyre drejt Kosovës, ndërsa në urën ku u ulën shihen ushtarët Gurkha duke e ruajtur atë.
“Helikopterët Chinook, që sjellin përforcime, ulen në një urë të ruajtur nga ushtarët Gurkha gjatë avancimit të trupave britanike drejt Kosovës, më 13 qershor 1999”, thuhet në përshkrimin e fotografisë.
Publikimi ka rikthyer vëmendjen te një moment historik i ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, në kohën kur trupat britanike po avanconin në terren pas përfundimit të luftës.
Ushtarët Gurkha, me prejardhje nga Nepali, kanë shërbyer në ushtrinë britanike për më shumë se dy shekuj. Ata kanë pasur rol të rëndësishëm edhe në Kosovë, ku kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në kuadër të misionit të KFOR-it që nga viti 1999.
Në komentet e publikimit, një pilot i helikopterëve ka ndarë kujtimet e tij nga ajo ditë, duke treguar se si ura u bë pikë zbarkimi pasi vendi fillimisht i caktuar nuk rezultoi i përshtatshëm.
“Isha i pari që zbarkova në atë urë me helikopter. Pasi fluturuam përtej saj dhe konstatuam se pika e caktuar për zbarkim nuk ishte e përshtatshme, u kthyem te ura, pasi ajo ishte vendi më i afërt dhe i përshtatshëm për ulje. Gjatë ditës së nesërme, ajo u bë një pikë mjaft e frekuentuar”, ka shkruar piloti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Publikohet fotografia e rrallë e helikopterëve britanikë gjatë hyrjes në Kosovë më 1999 appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




