Përfundimi i fakultetit sjell njohuri dhe bazën profesionale, por hyrja në tregun e punës shpesh tregon se teoria nuk është gjithmonë e mjaftueshme. Në shumë profesione, sfida kryesore nis pikërisht atëherë kur njohuritë duhet të zbatohen në situata konkrete pune.

Për këtë temë u diskutua në episodin e radhës të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, ku moderatorja Fiona Xhema Troshupa bashkëbisedoi me Ideal Vejsën Ceo nga Maden Group, njëkohësisht përfaqësues i partneritetit mes Adapt Academy dhe projektit Matching Skills to Jobs – MSJ.
Sipas Vejsës, mungesa e përvojës praktike është një nga boshllëqet që vazhdon të vërehet te profesionistët e rinj, sidomos në fushën e arkitekturës.
“Në pjesën e vizatimeve jemi shumë të mirë, kurse kur të vjen puna e ekzekutimit të punëve, çalojmë.”
Pikërisht kjo nevojë ka qenë edhe një nga arsyet për krijimin e Adapt Academy, e cila synon t’i afrojë aftësitë profesionale me kërkesat konkrete të industrisë, përmes trajnimeve praktike dhe bashkëpunimit me kompani private.
Duke folur nga përvoja personale, Vejsa tregoi se një pjesë shumë të madhe të njohurive profesionale i kishte fituar vetëm pasi kishte filluar punën.
“Nëntëdhjetë për qind të punës time e kam mësuar kur kam filluar me punu, jo në fakultet.”
Sipas tij, kjo nuk e zbeh rolin e fakultetit, por tregon se zhvillimi profesional duhet të vazhdojë edhe pas diplomimit. Njohuritë teorike krijojnë bazën, ndërsa përvoja praktike ndihmon që ato të kthehen në aftësi që mund të përdoren drejtpërdrejt në punë.
Ky hendek mes arsimit dhe praktikës reflektohet edhe në tregun e punës. Edhe pse numri i të diplomuarve është i madh, bizneset vazhdojnë të përballen me vështirësi në gjetjen e stafit që është i gatshëm të përfshihet menjëherë në procese konkrete pune.
Vejsa thekson se pikërisht pjesa praktike është ajo që mund t’i ndihmojë kandidatët të plotësojnë më mirë kriteret që kërkojnë punëdhënësit dhe të përshtaten më shpejt me kërkesat e profesionit.
Biseda përcjell një mesazh të qartë: diploma është baza, por praktika është ajo që e afron profesionistin me realitetin e tregut të punës.
Dhe ky proces nuk ndalet me punësimin e parë. Zhvillimi i vazhdueshëm, sipas Vejsës, mbetet pjesë e çdo profesioni.
“Gjithmonë ka me pas mësime të vazhdueshme, e mësimi i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm.”
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
– YouTube www.youtube.com




